Dr. Ali Hajdari, me origjinë nga Drenasi, para disa javësh është emëruar Shef i Klinikës së Kardiologjisë dhe Angiologjisë në spitalin Krankenhaus Waltershausen-Friedrichroda në landin e Thüringenit, duke u bërë kështu drejtuesi i parë shqiptar i një klinike të këtij lloji në këtë rajon të Gjermanisë.
Kjo arritje e shënon një tjetër sukses të madh për mërgatën shqiptare.
Dr. Hajdari ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, duke ndjekur më pas një karrierë të suksesshme profesionale në disa nga klinikat më prestigjioze universitare të Gjermanisë, si ato në Mannheim, Jena, St. Georg Klinikum Eisenach dhe Elisabeth-Klinikum Schmalkalden.
Ai është specialist i Mjekësisë Interne dhe subspecialist i Kardiologjisë, i diplomuar në Qendrën Klinike Universitare të Jenës, dhe gjithashtu subspecializant i Angiologjisë (sëmundjeve të enëve të gjakut).





