Reperi i njohur shqiptar Noizy është liruar nga paraburgimi në Zvicër, ku ishte ndaluar për shkak të një situate të cilës ai i referohet si “keqkuptim i rëndë”.
Pas lirimit, artisti ka reaguar menjëherë në Instagram, ku ka sqaruar rrethanat dhe ka kërkuar falje ndaj fansave që prisnin pjesëmarrjen e tij në koncertin e së shtunës.
“Një keqkuptim i rëndë, i shkaktuar nga një shpifje, më përfshiu padrejtësisht në një procedurë verifikimi nga autoritetet zvicerane,” – shkruan Noizy.
Ai shton se personi që ka ngritur akuzat do të përballet me drejtësinë në Zvicër:
“…personi përgjegjës do të përballet me pasojat ligjore që parashikon ligji zviceran.”
Në fund të reagimit të tij, reperi jep një mesazh qetësues për ndjekësit dhe tregon se do të rikthehet fuqishëm në skenë:
“Jam sërish me ju, për të çuar përpara koncertet dhe albumin e ri. Mama ja dola,” – përfundon Noizy postimin e tij, duke e shoqëruar me një fotografi optimiste.
Lajmi për ndalimin e tij në Zvicër u përhap me shpejtësi në rrjet, ndërsa fansat reaguan me shqetësim. Megjithatë, duket se situata është zgjidhur dhe artisti do të vazhdojë aktivitetin e tij muzikor pa pengesa.





