Ministria e Punëve të Brendshme informoi se po vendos Kod të Veshjes për të gjithë të punësuarit dhe qytetarët që vizitojnë hapësirat e Sektorit për Punë Qytetare.
Siç njoftuan nga MPB, qëllimi është ruajtja e standardit profesional, dinjitetit të institucionit dhe respektit të ndërsjellë në hapësirat ku qytetarët nxjerrin dokumente personale, pasaporta dhe marrin shërbime të tjera administrative.
“Si institucion që është vazhdimisht në shërbim të qytetarëve, besojmë se veshja e përshtatshme kontribuon në një atmosferë më të mirë pune dhe në respektimin e institucioneve shtetërore”, thuhet nga Ministria.
Nga aty apelojnë që qytetarët, para se të vijnë në hapësirat e institucionit, të kujdesen që pamja e tyre të jetë në përputhje me normat e përgjithshme të pranueshme për institucionet publike.
Sipas kodit të ri, si veshje e papranueshme do të konsiderohet veshja shumë e shkurtër ose shumë e ngushtë, pantallonat e shkurtra të dedikuara për plazh ose aktivitete sportive, si dhe veshja që zbulon tepër barkun, gjoksin ose të brendshmet.
“E papranueshme është edhe veshja që zakonisht përdoret në shtëpi, në plazh ose në klube nate, trenerkat dhe veshja e dedikuar ekskluzivisht për aktivitete sportive, si dhe veshja me përmbajtje fyese”, informojnë nga MPB.
Në njoftim thuhet se si këpucë të papërshtatshme do të konsiderohen edhe shapkat, papuçet, kllompat, nalanet dhe sandalet e tipit “apostolke”.
Njëkohësisht, nga Ministria theksojnë se edhe të gjithë të punësuarit në Sektorin për Punë Qytetare do të duhet ta respektojnë në mënyrë të përpiktë kodin e veshjes që vlen për të punësuarit në MPB.
“Pamja e përshtatshme kontribuon në atmosferë profesionale dhe respektim të institucioneve”, shtojnë nga Ministria.










