Dështoi përpjekja e liberales Monika Zajkova për të ndryshuar modelin zgjedhor në një njësi zgjedhore me lista të hapura. Propozimin e mbështetën vetëm 19 deputet të opozitës.
“Nuk është e drejtë votat e rreth 30-40 mijë qytetarëve të bien në ujë vetëm për shkak të modelit zgjedhor. Kjo nuk është vetëm padrejtësi politike por është shkelje kushtetuese e parimeve për barazi të votës”, tha Monika Zajkova, kryetare e PLD-së.
Sipas Zajkovës demokracia do të përparojë nëse ekziston mundësi që qytetarët të zgjedhin drejtpërdrejtë deputetin e tyre përmes listave të hapura.
“Ka frikë nga listat e hapura te ata që me vite e ndërtojnë fuqinë e tyre të jollogaridhënies, të listave të kontrolluara”, theksoi Monika Zajkova, kryetare e PLD-së.
Edhe pse nga partia e tij nuk votuan “PËR” propozimin, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, thotë se ata mbështesin një njësi zgjedhore. Sipas Mickoskit tema është ngritur pasi që BDI, siç thotë, e sulmoi Qeverinë se nuk kujdeset për diasporën me Ligjin e ri për vetëqeverisje lokale.
“Ja ne jemi për atë që të ketë një njësi zgjedhore dhe të mundet edhe ata të marrin pjesë në një proces të tillë zgjedhor, të mos kemi shpenzime, të mos kemi më shumë njësi zgjedhore…të ketë një dhe të grumbullohen të gjithë votat në një njësi zgjedhore edhe të qytetarëve rezident por edhe të diasporës e cila do të dëshirojë të marrë pjesë”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Paraprakisht nga BDI theksuan se ata mbështesin propozimin për një njësi zgjedhore me lista të hapura, por me prag zgjedhor për deputet prej 3% nga votuesit e regjistruar ose 5% prej votuesve që kanë dalë në votime.










