Trendy

“Nuk do të lëshojmë pe asnjë centimetër”, Georgiev: Qëndrimi ndaj Maqedonisë mbetet i pandryshuar

Para 6 muaj

“Nuk lëshojmë pe, gjithçka është shkruar e zeza në të bardhë” – kjo është ajo që tha Ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev, kur u pyet për integrimin europian të Maqedonisë. Ai mori pjesë në seancën parlamentare, ku deputetët nga të gjitha partitë bullgare miratuan një Deklaratë që thekson se çdo përpjekje brenda BE-së për të rinegociuar, anashkaluar ose injoruar elemente të marrëveshjeve të arritura tashmë është e papranueshme.

“Bullgaria do të vazhdojë ta respektojë atë që u dakordua në 2022. Ne nuk do të lëshojmë pe asnjë centimetër nga marrëveshja. Nuk do të ndalemi të përsëritim se respektimi i kërkesave europiane është diçka e domosdoshme për të arritur progres”, tha Georg Georgiev, Ministër i Jashtëm I Bullgarisë.

Derisa Georgiev thotë se qëndrimi bullgar është i qëndrueshëm dhe i vendosur, autoritetet shpresojnë që Parlamenti Europian do të votojë për Raportin për vendin tonë, ku përmendet një identitet dhe një gjuhë të veçantë maqedonase. Pas thirrjes së Kryeministrit Mickoski, kreu i opozitares LSDM Filipçe loboi te socialistët europianë që teksti të votohet. Megjithatë, ai ka dilema.

“Nëse do të pranohet, a do të jetë kjo garanci të mjaftueshme për kryeministrin se do të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese?”, tha Venko Filipçe, LSDM.

“A hap kjo rrugën drejt ndryshimeve kushtetuese? Mendoj se ky është hap drejt ndryshimeve kushtetuese. Se është vetëm ky hap dhe se është i mjaftueshëm? Nuk do të thosha. Megjithatë momenti kyç është që ta mbrojmë procesin e zgjerimit të kërkesave dypalëshe të Bullgarisë”, pohoi Marko Troshanovski, Institut i Demokracisë.

Raportuesi nga Parlamenti europian për Maqedoninë, Tomas Vajc theksoi se për shkak të disa çështjeve që u parashtruan, sidomos nga pala bullgare, duhej të përmenden veçantia e identitetit dhe gjuhës maqedonase në Raportin që e ka përgatitur. Debati mbi tekstin do të fillojë javën e ardhshme.

Trending