Trendy

“Nuk jemi copë akulli”: Kryeministri i Grenlandës i kundërpërgjigjet fyerjes nga Trumpi

Para 13 sekonda

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, u bëri thirrje vendeve aleate të NATO-s që të qëndrojnë të bashkuara për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, përderisa iu kundërpërgjigj komenteve më të reja të presidentit amerikan, Donald Trump, rreth ishullit të Arktikut.

Trumpi e shfryu zemërimin e tij me mosgatishmërinë e NATO-s për t’u përfshirë në luftën kundër Iranit, të cilën ai e nisi me Izraelin, duke thënë në një shkrim në rrjete sociale se aleanca ushtarake nuk është aty, kur nevojitet dhe nuk do të jetë aty, “nëse na nevojitet përsëri”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“A ju kujtohet Grenlanda, ajo copë akulli e madhe, e udhëhequr dobët” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Kryeministri i Grenlandës nuk u pajtua me të. “Ne nuk jemi njëfarë cope akulli. Ne jemi një popullsi krenare prej 57.000 njerëzish, duke punuar secilën ditë si qytetarë të mirë globalë, me respekt të plotë për të gjithë aleatët tanë” – i tha ai agjencisë “Reuters”.

Nielseni e nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së rendit gjeopolitik të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë NATO-n dhe të drejtën ndërkombëtare të respektuar ndërkombëtarisht.

“Ato gjëra po sfidohen tani dhe mendoj se të gjithë aleatët duhet të qëndrojnë bashkë në përpjekje për t’i mbajtur ato. Shpresoj se kjo do të ndodhë” – deklaroi ai.

Trending