Për shtatë javë nxënësit e Shkollës periferike “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të Komunës së Studeniçanit janë pa mësim. Bojkoti për mëvetësimin e shkollës, gjegjësisht ndarjen nga shkolla qendrore e fshatit Studeniçan vazhdon dhe sipas prindërve nuk do të ndërpritet deri në plotësimin e kësaj kërkese.
“Çdo fëmijë meriton një ambient mësimor të sigurt, të ngrohtë dhe të mbështetur ku ata mund të zhvillojnë dhe të mësojnë pa pengesa. Derisa të ketë vendim final për këtë çështje ne do të vazhdojmë me bojkot”, thonë nga Këshilli iniciues për bojkot.
“Kërkesa jonë nuk është shumë e madhe, kjo është një kërkesë e cila është dashur të bëhet para shumë vitesh. Nuk jemi këtu për përçarje, as për t’i politizuar gjërat, nuk personalizojmë asgjë, ne kemi kërkesën dhe jemi të aftë për të menaxhuar me një institucion shtetëror”, u shpreh një banor.
“Nuk e kemi edhe ne lehtë që të zgjohemi në ora 7 dhe të bojkotojmë çdo ditë. Gjithçka që humbin fëmijët humbin fëmijët tanë. Ne e kemi këtë problem, jo sot por 14 vjet. Nuk dimë çfarë t’ju bëjmë tjetër, shkollën e kemi këtu, ne ua kemi rregulluar po nëse ka nevojë prapë e rregullojmë”, tha një tjetër banor.
Nga Këshilli Iniciues për bojkot u ankuan se nga udhëheqësia e shkollës qendrore po bëhet presion ndaj prindërve dhe mësimdhënësve për t’i kthyer fëmijët në mësim.
“U bëj apel që ato ta ndërpresin këtë kërcënim ndaj arsimtarëve që është duke u bë. Këtë kërcënim a e ka marrë parasysh dikush, a ka ardhur ndonjë fëmijë dje në mësim? Prej rruge i marrin me zor vetëm e vetëm me prish rendin e bojkotit”, u shpreh një tjetër banor.
Kreu i Studeniçanit, Azem Sadiku sërish apeloi prindërit të kthejnë fëmijët në mësim në të kundërtën mund të rrezikohet humbja e vitit shkollor ose nxënësit do të përballen me provime për çdo lëndë. Sadiku tha se është takuar me ministren e Arsimit, Vesna Janevska e cila, sipas Sadikut, refuzon miratimin e vendimit për mëvetësimin e shkollës.
“Qëndrimi i Ministrisë së Arsimit është se shkolla e fshatit Moranë nuk do të ndahet. Kam shumë vërejtje te pushteti qëndror se ata po rrijnë sikur asgjë nuk po ndodhë dhe tash faktikisht po del se ne nuk duam a ne jemi bashkarusht me prindërit e nxënësit. Ne e kemi kalu vendimin, tash pse ne të ndihemi si fajtor të kësaj procedure. Nëse vazhdon kështu nxënësit duhet të hyjnë në provim për çdo lënde dhe nëse zgjatet bojkoti edhe më shumë rrezikojmë që komplet vitin shkollor ta humbim”, deklaroi Azem Sadiku, kryetar I Komunës së Studeniçanit.
Për ministren e Arsimit Janevska, bojkoti i mësimit në shkollën periferike të fshatit Moranë është rast i montuar politik dhe apeloi prindërit t’i kthejnë fëmijët në mësim në të kundërtën fëmijët do të përballen me pasoja. Nga Këshilli Iniciues për bojkot paralajmëruan se deri në fund të javës do të vendoset edhe për forma tjera të protestës para institucioneve përkatëse. /Alsat.mk