Trendy

Oda e Zejtarëve mbështet rritjen e pagës minimale, por kërkon subvencione për bizneset

Para 2 orë

Oda e Zejtarëve të RMV-së ka shprehur mbështetje për nismat për rritjen e pagës minimale në vend, duke theksuar se një vendim i tillë duhet të merret në koordinim me punëdhënësit dhe odat ekonomike, në mënyrë që të mos dëmtohen bizneset private.

Kryetari i Odës së Zejtarëve, Agron Fazliji, deklaroi se zejtarët nuk janë kundër rritjes së pagave, por paralajmëroi për pasojat financiare nëse vendimi merret pa konsultim.

“Nëse Qeveria merr hapa pa u konsultuar me odat dhe punëdhënësit dhe e rrit pagën minimale në këtë nivel, ne do të kërkojmë subvencione për kontributet. Tregu është i vogël dhe duhet t’i ruajmë vendet e punës”, tha Fazliji.

Ai theksoi se sektori privat aktualisht përballet me sfida ekonomike dhe vështirësi për të përballuar rritje të menjëhershme të pagës minimale deri në 600 euro.

“Ne i përkrahim kërkesat e punëtorëve, por duhet të merret parasysh edhe pozita e punëdhënësve dhe të vetëpunësuarve. Pa ndërhyrjen e Qeverisë, është e vështirë të arrihet një nivel i tillë i pagës minimale”, shtoi ai.

Fazliji bëri thirrje që, në rast të arritjes së marrëveshjes për rritjen e pagës minimale, shteti të subvencionojë bizneset ose të mbulojë një pjesë të kontributeve, në mënyrë që të lehtësohet barra financiare.

“Me çdo rritje të pagës rriten edhe kontributet. Prandaj kërkojmë uljen e tyre, që të mund të rrisim pagat pa rrezikuar stabilitetin e bizneseve”, deklaroi ai.

Ndërkohë, ai përmendi se disa komuna në vend tashmë kanë treguar gatishmëri për të mbështetur zejtarët përmes subvencioneve, si një formë ndihme për këtë sektor.

Trending