Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se më shumë se 508,000 afganë janë dëbuar nga Irani për një periudhë prej vetëm 16 ditësh, nga data 24 qershor deri më 9 korrik, në atë që përshkruhet si një nga lëvizjet më të mëdha të detyruara të popullsisë në këtë dekadë. Lajmi është bërë i ditur nga rrjeti ABC, duke iu referuar burimeve të OKB-së dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
Sipas IOM, vetëm të mërkurën kanë kaluar kufirin 33,956 persona, ndërsa të martën 30,635, pas një piku të së premtes me 51,000 deportime, në prag të afatit të vendosur nga autoritetet iraniane që emigrantët pa dokumente të largohen vullnetarisht.
Kjo valë dëbimesh vjen pas përfundimit të konfliktit 12-ditor mes Iranit dhe Izraelit, dhe është shoqëruar me akuza të rënda nga autoritetet iraniane për spiunazh ndaj afganëve, edhe pse deri më tani ka mungesë provash për të mbështetur këto pretendime.
“Ka mijëra njerëz nën diell – dhe ju e dini sa i nxehtë mund të jetë Herati. Është mjaft e tmerrshme. Java e kaluar ishte mjaft masive,” tha Mihyung Park, shefe e misionit të IOM-it për Iranin dhe Afganistanin, për CNN.
“Javën e kaluar ishin rreth 400 fëmijë të pashoqëruar dhe të ndarë – kjo është shumë,” shtoi ajo.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Irani ka intensifikuar ndalimet dhe deportimet e afganëve pas akuzave për spiunazh në favor të Izraelit, por kritikët argumentojnë se bëhet fjalë për një fushatë të planifikuar spastrimi, që synon uljen e numrit të emigrantëve pa dokumente në vend.
Një i ri afgan me emrin Bashir, i cili ndodhej në qytetin kufitar Islam Qala në Afganistanin perëndimor, rrëfeu për CNN:
“U ndalova nga policia në Teheran dhe u dërgova me nxitim në një qendër paraburgimi.”
Ndërsa Parisa, një vajzë 11-vjeçare që u kthye bashkë me familjen, tha:
“Më thanë që nuk mund të shkoj më në shkollë këtë vit.”
Në Afganistan, nën regjimin taleban, vajzat nuk kanë akses në shkollim, çka e bën situatën e të dëbuarve edhe më të rëndë.
Raportuesi Special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Afganistan, Richard Bennett, reagoi në rrjetin social X:
“Qindra afganë dhe anëtarë të pakicave etnike dhe fetare u arrestuan në #Iran, të akuzuar për ‘spiunazh’. Gjithashtu, ka raportime për nxitje të diskriminimit dhe dhunës në media, duke i etiketuar afganët dhe komunitetet minoritare si tradhtarë dhe duke përdorur gjuhë çnjerëzore.”
Media shtetërore iraniane ka publikuar gjithashtu pamje të migrantëve të arrestuar dhe intervista me punëdhënës iranianë që pranojnë se i kanë punësuar afganët për pagë, në pritje që të mund të largohen.
“Pse e punësuat afganin? Është kundër ligjit,” pyet gazetari i televizionit shtetëror.
“E di! Por duhet t’i paguaj që të mund të kthehen. Ata duan të shkojnë dhe po presin të paguhen,” përgjigjet punëdhënësi.
Dëbimet masive kanë nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare, ndërsa situata humanitare në kufirin iraniano-afgan përkeqësohet çdo ditë, nën temperatura ekstreme dhe mungesë të kushteve elementare për strehim e ushqim.









