Sistemi i përbashkët kufitar “One Stop” ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë pritet të hyjë në fuqi para sezonit veror. Kjo ishte njëra nga temat e diskutimit ndërmjet ministrave të brendshëm nga të dyja shtetet, pas takimit në Shkup. Ministri Toshkovski pas e priti me një buqetë lulesh homologen, tha se ekipet operative nga të dyja palët do të intensifikojnë punimet për sistemin e përbashkët kufitar. Vitin e kaluar nga pikat kufitare të 2 vendeve kanë qarkulluar 5 milionë qytetarë dhe 1,8 milionë automjete.
“Vlerësoj se para fillimit të sezonit veror do të mund ta bëjmë, siç e kemi zbatuar ‘One Stop Shop’ sistemin me Kosovën dhe Serbinë, do ta kryejmë edhe me Shqipërinë, duke përmbyllur projektin në mes shteteve që nuk janë pjesë e BE-së për një lëvizje më të shpjet të qytetarëve ku pritet të ulë kohën e pritjes në kufijtë tanë”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm RMV.
Për vendkalimi e vogël kufitar Xhepishtë-Trebishtë në parim bënë ujdi që në të ardhmen të funksionojë 24/7 përkundër faktit që në sezonin e verës është i hapur deri orën 20, ndërsa gjatë dimrit deri orën 18. Por, për një ndryshim të statusit nuk u përmend pika tjetër kufitare sezonale Shën Naumi-Tushemishtë, e cila lidh Ohrin me Pogradecin dhe është e hapur vetëm gjatë sezonit pranverë-verë me orar të caktuar. Ministrja e brendshme e Shqipërisë Albana Koçiu tha se një sistemi i unifikuar doganor dhe kufitar ka një rëndësi të veçantë për afrimin e dyja vendeve, zhvillimin e ndërmarrësisë së mallrave dhe shërbimeve.
“Për këtë arsye lehtësimi i procedurave për qytetarë dhe bizneset është jo vetëm diçka e zgjuar por edhe shumë praktike, të cilën e bëjmë në funksion të së ardhmes sonë të përbashkët. Pikërisht me këtë bindje biseduam me kolegun tim ministër shndërrimin e pikës së kontaktit në një Qendër të vërtetë të bashkëpunimit policorë dhe doganor për të lejuar një koordinim të vazhdueshëm 24/7 të forcave tona. Një bashkëpunim i tillë përmes qendrës së koordinuar do të krijoj mundësi akoma më të mëdha për të shkurtuar më tej burokracitë, kohën e kalimit me radhët në kufij dhe do të nxisë edhe më shumë shkëmbimin mes palëve”, theksoi Albana Koçiu, ministre e Brendshme e Shqipërisë.
Sistemi “One Stop” ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë pritet të zbatohet në dy vendkalime kufitare, atë të Qafë Thanës, e rëndësishme për Korridorin 8 dhe vendkalimi Bllatë që lidh Dibrën me Peshkopinë, e rëndësishme për aksin e njohur si Rruga e Arbrit.
Në verë të 2023 në vendkalimin kufitar Qafë Thanë u pat bërë promovimi i programit të ri “Një ndalesë – një kontroll” ku kryeministri i atëhershëm, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri shqiptar Edi Rama thanë se u zhbë kufiri mes dy vendeve. Por vetëm afrimi i barakave nuk bëri zgjidhje pasi pati kolona të gjata.





