Pjesëmarrësit e kursit për ushtarë profesionistë në kazermën e Velesit që janë diagnostikuar me zgjebe janë dërguar për trajtim në kushte shtëpiake, ndërsa pjesa tjetër e kursantëve është në gjendje të stabilizuar dhe pa shenja të sëmundjes, shkruan iNfoMaxiNfoMax, përcjell tetova1
Nënkolonelja Larisa Oranska, epidemiologe në Qendrën Ushtarako-Mjekësore, konfirmoi se te katër pjesëmarrës të kursit është vërtetuar prania e zgjebes dhe se menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme mbrojtëse, ndërsa situata po monitorohet në vazhdimësi.
Sipas saj, rasti i parë është evidentuar të enjten e kaluar. Personi i prekur është dërguar pa vonesë te mjeku specialist dhe në mjekim shtëpiak, ndërkohë që janë zbatuar protokollet për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
“Masat parandaluese i realizojmë rregullisht sipas planit mujor, ndërsa në raste indikacionesh kryejmë edhe kontrolle të jashtëzakonshme,” theksoi Oranska.
Ajo bëri të ditur se të gjithë ushtarët janë kontrolluar dhe se individët me ndryshime në lëkurë janë referuar për ekzaminime të mëtejshme specialistike.
“Katër të prekurit janë në trajtim shtëpiak. Të gjithë të tjerët ndodhen në njësi, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa simptoma,” sqaroi epidemiologia.
Oranska nënvizoi se sëmundja nuk e ka origjinën brenda Armatës. “Deri më tani nuk kemi pasur raste të zgjebes te personeli ushtarak. Është e qartë se bëhet fjalë për një rast të sjellë nga jashtë,” deklaroi ajo.
Në ambientet ku janë të vendosur kursantët është kryer dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim i plotë, si masë parandaluese shtesë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, nënkolonel Darko Sterjovski, siguroi se kushtet në kazermë janë plotësisht në përputhje me standardet dhe rregulloret ushtarake, duke hedhur poshtë pretendimet për kushte të papërshtatshme.
“Dua të theksoj se kushtet e akomodimit janë plotësisht të kënaqshme dhe në përputhje me rregullat për rend dhe sistemim në Armatë,” tha Sterjovski.
Më herët edhe Ministria e Mbrojtjes reagoi duke theksuar se rasti nuk buron nga kazerma “Aleksо Demnievski-Bauman” në Veles, duke apeluar që opinioni të mos manipulohet dhe të mos keqpërdoret një rast i izoluar, pasi kjo dëmton drejtpërdrejt reputacionin e Armatës./tetova1.mk








