Janë numëruar rreth 37% e votave në zgjedhjet parlamentare në Hungari, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë një avantazh të ndjeshëm për opozitën.
Sipas projeksioneve, partia Tisza, e drejtuar nga Peter Magyar, është shumë pranë sigurimit të shumicës së cilësuar prej dy të tretash në Parlament. Aktualisht, ajo projektohet të marrë 132 mandate, vetëm një më pak se 133 vendet e nevojshme për të kontrolluar dy të tretat e Kuvendit.
Nga ana tjetër, partia në pushtet Fidesz, e kryeministrit Viktor Orbán, parashikohet të sigurojë vetëm 59 mandate, duke pësuar një rënie të ndjeshme krahasuar me rezultatet e mëparshme.
Numërimi i votave vijon, ndërsa rezultati përfundimtar pritet të përcaktojë nëse opozita do të arrijë shumicën e cilësuar që do t’i mundësonte ndryshime të rëndësishme në drejtimin politik të vendit.










