Trendy

Osmani: Çdo përpjekje për barazimin e luftës çlirimtare të UÇK-së me krimet e Serbisë, minon besimin në drejtësi

Para 2 muaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime prej nga 45 vjet burg për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në reagimin e saj, Osmani thekson se pavarësia e Kosovës është rezultat i vullnetit të popullit dhe i një sakrifice shekullore, duke nënvizuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, ndërsa krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria ka kërkuar 180 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.

Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.

Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.

Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”.

Trending