Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, e cila ka kërkuar sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti ka kërkuar tre anëtarë.
Kushteteusjea thotë se kërkesa e Osmanit nuk i plotëson “kriteret e pranueshmërisë, sikurse që janë përcaktuar me Kushtetutë dhe saktësuar më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës”.
“Duke marrë parasysh që konflikti i kompetencave, në rrethanat e rastit konkret, është ngritur përkitazi me një kompetencë të Presidentes dhe e cila nuk është përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Gjykata, bazuar në pikën 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës dhe praktikës së saj gjyqësore thekson se konflikti i kompetencave nuk është ngritur përkitazi me “kompetenca kushtetuese” të Presidentes dhe për pasojë, nuk është plotësuar kriteri i dytë kushtetues në kontekst të ngritjes së “konfliktit të kompetencave kushtetuese” për Presidentin, Kuvendin dhe/ose Qeverinë. (shih, rastin KO88/21, cituar më lart, paragrafi 72)”, thuhet ndër tjerash në vendim.
Kushtetuesja thotë se Presidentja nuk e ka ngritur çështjen lidhur me “kompetencat kushtetuese”.
“Rrjedhimisht, në vlerësimin e Gjykatës në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës, ndonëse është palë e autorizuar që të ngritë çështje të konfliktit të kompetencave kushtetuese në mes të saj dhe Kuvendit, nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të “kompetencave kushtetuese”, sipas përcaktimeve të nënparagrafit 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpall kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme”, thuhet në vendim.










