Nënkryetari i parë i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth statusit dhe zbatimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, duke theksuar se kjo është një nga arritjet më të rëndësishme të arkitekturës së re shtetërore.
Në një reagim publik, Osmani rikujtoi hapat që, sipas tij, janë ndërmarrë ndër vite për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese, miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, themelimin e institucioneve përkatëse si Agjencia e Gjuhës dhe Inspektorati, si dhe krijimin e sektorëve të veçantë nëpër institucione.
Ai theksoi se janë përgatitur resurset e nevojshme dhe është nisur një proces i gjerë i implementimit në administratë, duke e cilësuar këtë si një reformë strukturore me ndikim afatgjatë.
Reagimi i plotë i Bujar Osmanit:
E kemi ndërruar Kushtetutën.
E kemi sjellë Ligjin për gjuhën.
E kemi themeluar Agjencinë e Gjuhës.
E kemi ngritur Inspektoratin e gjuhës.
Kemi krijuar sektorët e gjuhës nëpër institucione,
Kemi përgatitur resurset për zbatimin e saj.
Kemi filluar implementimin masiv nëpër institucione.
Dhe sot vijnë, e dëmtojnë gjuhën, e zhbëjnë hap pas hapi, e quajnë të përkthyer dhe me lehtësi thonë: “pse s’e keni bërë ju deri tash”.
Ne i kemi bërë, por ne kemi faj për një pune, që nuk na ka marrë mendja se do të dalin forca politike shqiptare që do të luftojnë vetë arritjen më të rëndësishme të arkitekturës së re të shtetit, gjuhën shqipe.










