Trendy

Pa bullgarët në kushtetutë, nuk ka përparim për Maqedoninë drejt BE-së, paralajmëron presidentja e Bullgarisë

Para 2 orë

Presidentja në detyrë e Bullgarisë, Iliana Iotova, ka shprehur shqetësimin e Sofjes lidhur me raportimet se Maqedonia e Veriut po shqyrton alternativa për hapjen e kapitujve të tjerë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke shmangur fillimin nga klasteri i parë që lidhet me të drejtat themelore.

Ajo theksoi se ky klaster përbën themelin e gjithë procesit të anëtarësimit dhe se Bullgaria nuk do të mbështesë asnjë qasje që e anashkalon apo e vonon atë.

“Maqedonia e Veriut nuk duhet të krijojë iluzionin se ekziston një rrugë më e lehtë; deri në qershor duhet të qartësohet nëse vendi synon realisht anëtarësimin në BE”, u shpreh Iotova.

Deklaratat ajo i bëri gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku zhvilloi edhe një takim me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa. Në fokus të bisedës ishin zgjerimi i BE-së, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimi i Bullgarisë ndaj procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut.

Iotova përsëriti qëndrimin se pa ndryshime kushtetuese dhe pa përfshirjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës si komunitet shtetformues, nuk mund të ketë progres në rrugën evropiane të vendit. Sipas saj, këto kërkesa janë pjesë e standardeve dhe marrëveshjeve të dakorduara në kuadër të procesit.

Ajo shtoi se afati deri në qershor duhet të shërbejë për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët mes palëve evropiane dhe Maqedonisë së Veriut, nëse vendi dëshiron të vazhdojë integrimin drejt BE-së.

Në fund, Iotova nënvizoi se Bullgaria do të vijojë të mbrojë interesat e saj brenda BE-së dhe NATO-s, duke theksuar nevojën që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, veçanërisht duke pasur parasysh pozicionin e Bullgarisë si kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian.

Trending