Trendy

Paradoksi i shitjes së islamofobisë si oksidentalizëm

Para 40 sekonda

Bashkim Aliu

Jo rrallëherë hasen shkrime, madje edhe vetëm disa rreshta si statuse në rrjetet sociale, ku, në emër të kritikës, shënjestrohet angazhimi dhe aktivitetet e qendrave islame të mërgatës shqiptare në Perëndim. Në veçanti, një nga aktivitetet më fisnike dhe më patriotike — mësimi i nxënësve shqiptarë në mësonjtoret e qendrave islame në Perëndim — cilësohet si antioksidental, madje edhe antishqiptar, apo si anadollak dhe aziatik. Jo se duhet domosdoshmërisht reaguar ndaj çdo statusi në rrjetet sociale, por nganjëherë këto shërbejnë si shkas për të nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të mësim-besimit në gjuhën shqipe në këto mësonjtore. Shënjestrimi i tyre si “paradoks në Zvicër: një komb e dy imazhe, një ikonografi, dy orientime, dy shkolla, simbole të njëjta, mësime të ndryshme — zgjidhni dhe merrni”, siç thuhet në një status në Facebook, shpalos një diskurs që alarmon për një mendësi ende të pakonsoliduar në Perëndim. Kjo mendësi filozofinë kombëtare dhe integruese, si dhe frymën oksidentale, i redukton në një model përjashtues, mohues dhe në një identitet të njëtrajtshëm të formës “ne” dhe “ata”, pra “ose ne, ose ata”, “ose me ne, ose kundër nesh”.

Kjo mendësi, e shprehur në narrativa të tilla për organizimin e manifestimeve nga nxënësit që ndjekin mësim-besimin në mësonjtoret e qendrave islame shqiptare në Perëndim, me ikonografi kombëtare shqiptare, e kapërcen konceptin e identitetit të shumëfishtë të individit dhe kalon në një identitet të njëtrajtshëm që përjashton të ndryshmin. Ajo e formëson multikulturalizmin si rrezik për vlerat perëndimore.

Ikonografia kombëtare shqiptare në këto manifestime nuk është aspak “paradoks”. Përkundrazi, cilësimi i saj si i tillë është një përpjekje për të shtrembëruar dhe përmbysur tradita dhe veprimtari të suksesshme me karakter kombëtar dhe integrues, në emër të mbrojtjes së vlerave evropiane dhe të një kauze të imagjinuar kombëtare me nuanca të qarta islamofobe.

Perëndimi nuk e merr për nder atribuimin e islamofobisë si përcaktim thelbësor të diskursit të tij. Paraqitja e tij si i “rrezikuar” nga Islami dhe myslimanët dëshmon mungesë njohjeje të filozofisë, kulturës dhe shoqërisë perëndimore, e cila promovon dialogun, përfshirjen, mirëkuptimin, lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut, në vend të paragjykimeve, përjashtimit, ngulfatjes së lirive të tjetrit, racizmit dhe diskriminimit. Shitja e narrativave islamofobe si oksidentalizëm dhe si kujdes për Perëndimin është një vetëmashtrim dhe një qasje e gabuar ndaj vlerave perëndimore. Kjo krijon një imazh të rremë sikur Perëndimi nuk e duron tjetrin dhe të ndryshmin — gjë që nuk është e vërtetë — dhe nxit një hiperinjorancë që shpesh shpie në urrejtje.

Praktika e qendrave islame shqiptare në Perëndim është, në fakt, antipod i diskursit islamofob dhe narrativës antiperëndimore. Tradita e Islamit ndër shqiptarë, që nga koha e Rilindjes e deri më sot, ofron një model përfshirjeje dhe jo përjashtimi, dialogu dhe jo urrejtjeje, mirëkuptimi dhe jo paragjykimi, integrimi dhe jo izolimi apo asimilimi. Diskursi islam shqiptar i përket një përvoje të suksesshme të të jetuarit ndërmjet dy kulturave dhe është zhvilluar në kufirin mes dy botëve kulturore. Ai ka aftësinë të komunikojë njëkohësisht me traditën islame dhe modernitetin evropian. I formuar përmes ndërveprimit me kultura dhe sisteme të ndryshme, ai ka kultivuar një traditë të qëndrueshme të bashkëjetesës ndërfetare dhe brendafetare. Në këtë frymë, imamët shqiptarë në Perëndim menaxhojnë me sukses jetën fetare të komunitetit mysliman shqiptar në mërgatë.

Ajo që dikush e quan “paradoks në Zvicër” në fakt tregon mbetje në një mendësi të vjetër, të bazuar në ndarje dhe stereotipe “ne” dhe “ata”, në mohimin e tjetrit dhe në moskomunikim. Këto mendësi kanë ekzistuar në Evropë, por jo në Evropën moderne — por në atë të Mesjetës. Kjo dëshmon për një mentalitet të dominuar nga ideologji të ngurta përjashtuese, të cilat nuk përputhen me Evropën e hapur, pavarësisht pretendimeve në emër të saj. Përkundrazi, kjo mendësi përbën rrezik për vetë vlerat evropiane dhe për traditën shqiptare të tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar.

Kur fëmijëve shqiptarë u mësohet feja dhe besimi në gjuhën shqipe, ata lidhen më fort me gjuhën dhe kombin, krahas dijes fetare, dhe mbeten shqiptarë. Pretendimi se mësimi i fesë në një gjuhë të huaj rrezikon apo zëvendëson identitetin kombëtar është i pabazë. Historia jonë tregon se feja nuk e ka zëvendësuar identitetin kombëtar, por, përkundrazi, e ka forcuar atë. Rrugëtimi ynë kombëtar është ndërtuar nga njerëz me besime të ndryshme, por me respekt të ndërsjellë dhe me një qëllim të përbashkët kombëtar.

Më tepër sesa një ndarje mes Perëndimit dhe Lindjes, kemi të bëjmë me një përpjekje për t’u paraqitur sipas standardeve personale të një pjese të shoqërisë, e cila përfaqëson shumicën në aspektin fetar, para një opinioni perëndimor që di të gjykojë pa paragjykime. Pikërisht kjo qasje shpesh përbën thelbin e problemit.

Ata që janë aktivë në jetën komunitare të mërgatës shqiptare nuk përdorin diskurs përjashtues apo monopolizues të kauzës kombëtare. Ata nuk marrin rolin e gjykatësit për të vendosur se çfarë është shqiptare dhe çfarë jo. Këtë zakonisht e bëjnë ata që kontribuojnë pak në jetën reale, por bëjnë shumë zhurmë në botën virtuale.

Filozofia dhe kultura evropiane nuk promovojnë pranimin duke mohuar atë që je apo duke përjashtuar tjetrin. Maskimi i frikës nga Islami dhe aktiviteti fetar legal i komunitetit nuk ndihmon në ndërtimin e një imazhi të patriotit apo oksidentalistit.

Të rinjtë që kanë ndjekur mësonjtoret e qendrave islame kanë mësuar lidhjen e fortë me atdheun, gjuhën shqipe dhe historinë kombëtare. Aty kanë mësuar alfabetin shqip, leximin në gjuhën shqipe, himnin kombëtar dhe poezi të autorëve shqiptarë. Ata e ndiejnë thellë shqiptarizmin pikërisht përmes këtij formimi.

Ky është potenciali thelbësor i angazhimit komunitar. Që ky potencial të realizohet, kërkohet vetëdije e vazhdueshme, zhvillim i kujdesshëm dhe mbrojtje nga shtrembërimet. Ideologjitë e ngurta dhe përjashtuese, që paraqiten si monopolizuese të kauzave, përbëjnë një kërcënim serioz për këtë traditë.

Trending