Pas një denoncimi publik të bërë ditë më parë nga kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Tearcës, Daut Memishi, autoritetet komunale kanë ndërhyrë dhe kanë pastruar deponinë e Gllogjës, e cila prej kohësh ishte shndërruar në shqetësim për banorët, përcjell tetovoa1.
Memishi publikoi sot fotografi nga vendi i pastruar, duke theksuar se kjo është dëshmi se zëri i qytetarëve nuk mund të injorohet.
“Pas denoncimeve të shumta që kam bërë lidhur me deponinë në Gllogjë, autoritetet komunale më në fund ndërhynë dhe pastruan mbeturinat. Jam krenar që para qytetarëve dalim me ofertë konkrete, duke adresuar hallet reale që u pengojnë jetën çdo ditë. Ky është një ogur i mirë për atë që do të vijë pas zgjedhjeve – një qeverisje me nder, përgjegjësi dhe respekt për secilin qytetar”, – shkroi Memishi në rrjetet sociale.
Ai shtoi se përmes këtij shembulli dëshmohet se problemet mund të zgjidhen kur ka vullnet dhe përkushtim, duke premtuar se pas zgjedhjeve do të ndërtojë një komunë më të pastër, më të drejtë dhe më të zhvilluar./tetova1/










