Sot, në ambientet e Parkut Nacional “Mali Sharr”, u zhvillua ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të detyrës së drejtorit të këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror dhe natyror. Me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, drejtimin e parkut e merr Evzal Elmazi, kuadër i Aleancës për Shqiptarët nga dega e Zhelinës.
Elmazi sjell në këtë rol përvojë të thellë profesionale, me mbi 20 vite angazhim në fushën e sigurisë financiare dhe analizës, si ekspert në Drejtorinë e Inteligjencës Financiare. Emërimi i tij shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të menaxhimit të Parkut dhe zhvillimit të qëndrueshëm të një prej pasurive më të çmuara natyrore të vendit.
Ai pason në këtë post Emir Huseinin, i cili dha dorëheqje pas largimit të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, nga Qeveria dhe koalicioni VLEN.
Gjatë ceremonisë, stafi i parkut dhe përfaqësues të institucioneve shprehën urime për drejtorin e ri dhe gatishmëri për bashkëpunim në funksion të ruajtjes dhe promovimit të Parkut Nacional “Mali Sharr” si aset kombëtar dhe natyror me rëndësi të veçantë.






