Dy vjet pas trazirave në Myftininë e Tetovës, Selver Xhemaili u vendos në hapësirat ku Qani Nesimi deri dje ushtronte funksionin e myftiut me rezistencë, pasi iu kundërvu reis ulemasë së Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, duke e quajtur vendimin e Rijasetit për shkarkimin e tij, të paligjshëm dhe jolegjitim. Xhemaili, ndonëse nuk u prit nga ish myftiu Nesimi për t’ia dorëzuar zyrtarisht detyrën, theksoi se bashkëpunëtorët në Myftini e kanë mirëpritur ardhjen e tij.
“Sot jemi mirëpritur kthyer në normalitet. Gjithçka ka filluar për së mbari, mbarë e mirë. Sot në mëngjes jemi mirëpritur nga kolegët, hoxhallarët dhe bashkëpunëtorët tonë dhe shpresojmë të vazhdojmë mirë në të ardhmen”, deklaroi Selver Xhemaili, Myfti i Tetovës.
Nesimi, ndonëse sot nuk iu përgjigj thirrjeve tona telefonike për të dhënë detaje shtesë rreth tërheqjes së tij, mbrëmë tha se vendimin e ka marrë për të ruajtur unitetin mes myslimanëve dhe BFI-së.
“Tërhiqem vetëm se, shpirtërisht, idealisht dhe qenësisht dua që të ruhet uniteti, respekti i ndërsjellë dhe harmonia midis besimtarëve dhe hoxhallarëve në përgjithësi, dhe i institucionit të vetëm shpirtëror të myslimanëve në RMV, gjegjësisht i BFI-së, në veçanti”, tha Qani Nesimi, Ish Myfti i Tetovës.
Megjithatë, Xhemaili i cili paralajmëroi se po bëjnë analiza sa i përket dyshimeve për shpërdorime financiare, sot njoftoi se vendimin, Nesimi e ka marrë pas një takimi me reisin.
“Paraprakisht, ish myftiu ka pasur një takim me reis ul-ulemanë, që detajet e bisedës dhe takimit, ne nuk kemi qenë prezent, nuk i dimë. Pas atij takimit, ka ndodhur edhe tërheqja nga lokalet e Myftinisë së Tetovës”, u shpreh Selver Xhemaili, Myfti i Tetovës.
Dy vitet e kaluara, kishte përplasje të ashpra mes myftiut Nesimi dhe BFI-së së udhëhequr nga Fetahu i cili nuk arriti ta largojë nga objekti i Myftinisë së Tetovës as edhe me polici. Mes akuzave nga të dyja palët se kush është përfaqësues legjitim, pati akuza edhe për shpërdorime të ndryshme financiare. Ndryshe, Nesimi ishte kundërkandidat i Fetahut për detyrën e reisit, pasi shkarkimit të Sulejman Rexhepi. /Alsat.mk





