Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) mbrëm shënoi 35-vjetorin e themelimit me një ngjarje solemne, ku morën pjesë anëtarë dhe mbështetës të partisë.
Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të paraqitjes së parë publike pas një kohe të gjatë të ish-liderit të partisë, Zoran Zaev, përcjellë Tema.mk.
Ai u shfaq në fund të ceremonisë, rreth pesë minuta para përfundimit, pasi kishin përfunduar fjalimet dhe pjesa muzikore e programit. Sipas pamjeve nga ngjarja, Zaev u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa një pjesë e të ftuarve iu afruan për ta përshëndetur, përqafuar dhe për t’u fotografuar me të. Në një moment, ai u takua me Kaja Shukova, e përshëndeti dhe e përqafoi, ndërsa më pas, me buzëqeshje, iu drejtua të pranishmëve me fjalët: “Çfarë bëni, shokë”. Paraqitja e tij ngjalli interes te një pjesë e të pranishmëve, duke pasur parasysh se për një kohë të gjatë ai nuk ka qenë aktiv në jetën publike politike.










