Trendy

Pas njohjeve të reja për Kosovën, Serbia nxit ambasadorët për “çnjohje”

Para 3 muaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Konferencën e ambasadorëve të Serbisë, ka deklaruar se ka filluar një valë e re njohjesh të pavarësisë së Kosovës, duke bërë thirrje për mobilizim dhe angazhim për çnjohje.

Sipas tij, këtë vit Kosova është njohur nga katër shtete të reja, ndër të cilat e fundit ishte Bahamet. Vuçiqi tha se kishte pritur përparim të madh nga administrata e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara, por sipas tij, Serbia nuk ka marrë mbështetje nga asnjë fuqi e madhe.

Ai u ka thënë ambasadorëve serbë: “Duhet punuar në çnjohjen e Kosovës”.

“Vetëm që ta dini, pavarësisht se çfarë ju thonë, pavarësisht se çfarë thonë, asnjë marrëveshje nuk e respektojnë as Prishtina, as Bashkimi Evropian e as SHBA-ja. Madje as ato që na imponuan – Kosova është pjesë e Serbisë për ne, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë,” tha Vuçiq, transmeton “N1”.

Ai shtoi se Serbia duhet të forcojë praninë e saj në Azi, Afrikë, Amerikë të Jugut dhe Amerikë Qendrore.

Vuçiq foli gjithashtu për sanksionet e vendosura nga SHBA-ja ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS):

“Kur ishte e vështirë për ne, nuk e morëm atë mbështetje nga fuqitë e tjera të mëdha, as në lindje, e as në Bashkimin Evropian. Çdokush prej tyre ka mundur të thotë – ne jemi këtu me ju, ne jemi këtu për ju. Askush nuk e bëri këtë, secili kishte arsyet e veta shtesë për presion, duke pritur edhe më shumë nga Serbia, duke kërkuar shumë, por duke mos dhënë asgjë,” tha Vuçiq.

Trending