Opinion ynë është i lodhur nga storie të ditë për ditshme për largimin e rinisë nga vendi dhe zbrazja e vendbanimeve të tëra, prandaj një freski të vërtetë paraqet shembulli i Valon Maqellarës, i cili pas disa dekadave në mërgim është kthyer për të zhvilluar biznes në vendlindjen e tij në Dibër.
Valon Maqellara është larguar nga Dibra për në Itali para tridhjetë viteve.
“Ishin kohëra të vështira. Në njërë anë varfëria, papunësia, mungesa e perspektivës, në anën tjetër përndjekjet dhe presionet politike. Nuk kishim rrugëdalje përveç se t’ia mësyejmë Perëndimit”, rrëfen ai për portalin Lideri.mk, duke evokuar kujtimet e para tri dekadave dhe duke treguar shkaqet pse u largua nga vendlindja.
“Edhe unë u detyrova të largohem dhe fati më dërgoi në Itali. Atje mora edhe familjen dhe filluam jetë gurbeti. Malli për Dibrën ka qenë çdo herë i pranishëm, kurse ditën që u riktheva mund ta quaj lirisht ditëçindjen time të dytë”, shprehet ai.
Valoni para një muaji e gjysëm ka hapur dhe me sukses po e menaxhon restorantin “La Casa Mia”, i cili menjëherë është bë një ndër restorantet më të mira me specialitete italiane në Maqedoni, si dhe një vend i preferuar edhe për dibranët por edhe për vizitorët nga qytete tjera që vizitojnë Dibrën. Ai shprehet mjaft i kënaqur nga puna dhe suksesi në restorantin e sapohapur, ku ka sjellur edhe një kuzhiner të njohur nga Italia, por ku mund të gjeni edhe gatime tradicionale dibrane.
“Me të vërtetë jam i kënaqur edhe pse jemi ende në fillim. Dibra është qytet i vogël por dibranët kanë shije të rafinuar për ushqim, veçanërisht kur kemi këtu edhe mërgimtarët tanë të cilët knë shijuar ushqime në qytetet dhe restorantet më të njohura botërore, prandaj kam vendosur të sjell edhe kuzhinierin nga Italia i cili është mjaft i njohur atje. Ne po bëjmë maksimumin dhe shpresoj se do t’ia dalim”, shprehet Valoni me optimizëm.
Para se të kthehet në vendlindje, ai ka jetuar dhe punuar afër Venecias, një ndër regjionet më të bukura në Evropë dhe në botë, por ai me mendje vazhdimisht ka qenë në vendlindje.
“Për mua Dibra është më e u bukur se Venecia dhe se çdo vend tjetër, mendja dhe zemra ime gjithmonë ka qenë këtu. Me të vërtetë jam falënderues për mundësitë që mi ka ofruar Italia, ku kam jetuar aq shumë kohë me familjen, kurse djali im është sportist i njohur në sportin e ragbit. Mirëpo ëndërra ime ka qenë që të kthehem këtu dhe këtu ta përmbylli karrierën time deri në pension, shpresoj se kjo ëndërr do të më realizohet”, thotë Valon Maqellara.
Ai, si çdo shqiptar, është i brengosur për zbrazjen e vendit nga rinia, dukuri Dibrën e ka prekur më herët se qytetet tjera.
“Porosia ime do të ishte që ikja nga vendlindja të jetë opsion i fundit, e jo opsion i parë siç është bë për shumë të rinj. Po ju flas nga përvoja ime 30 vjeçare jetësore në mërgim. 100 euro atje ka vlerë më pkj se 50 euro këtu. Poashtu edhe malli për vendlindje është i madh. Prandaj rinia të bën çmos që ta gjejë veten këtu, e nëse nuk mund të gjinden këtu atëherë të përcaktohen për t’u larguar”, është porosia e Valon Maqellarës./Lideri