Irani ka reaguar ndaj sulmeve të reja amerikane, me zëdhënësin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Sardar Mohebi, që ka paralajmëruar një përgjigje të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në rrjetin social X, Mohebi deklaroi:
“Dënim i rëndë i pret agresorët dhe Amerika do të pendohet për sulmet e saj të reja.”
Deklarata e tij vjen pak pas njoftimit të Komandës Qendrore të SHBA-së për nisjen e sulmeve të reja ndaj objektivave të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike në Iran.
Reagimi i Gardës Revolucionare rrit më tej shqetësimet për një përshkallëzim të konfliktit mes Uashingtonit dhe Teheranit, veçanërisht pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me forcë edhe më të madhe në rast të një hakmarrjeje iraniane.
Tensionet mes dy vendeve vijojnë të mbeten të larta, ndërsa deklaratat e fundit nga të dyja palët kanë shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak.











