Çerdhja në fshatin Përshefcë (komuna e Tearcës), e planifikuar të përfundonte në 2023, është vonuar për shkak të lëshimeve në ndërtim dhe pritjes së lejes nga Ministria. Ndërtimi nisi në 2021, ndërsa funksionimi pritej në 2023. Kryetari i komunës thotë se vonesat lidhen me investime shtesë dhe se presin vetëm miratimet për punësimet para hapjes.
“Këtë propozim sistematizimin e kemi dërguar te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale gjë që është miratuar. Këtë propozim e kemi dërguar tek Ministria Informatikës dhe Administratës dhe Ministria e Financave që nuk dyshojmë se do e kthen me një përgjigje pozitive. Është e plotësuar mbi bazën e kërkesave të dëshmuara për nevojat që ka çerdhja. Kërkesa jonë ka qenë rreth 70 punësime”, tha Nuhi Neziri
Sipas Nezirit regjistrimet në çerdhe do të fillojnë pasi të përzgjidhet drejtori i ri.
“Sot emëron këshilli anëtarët e bordit, nesër kemi vizitën përfundimtare dhe në afat prej tetë ditësh në daljen në Gazetën Zyrtare dhe ne hapim konkurs për drejtor, se për momentin kemi ushtrues detyre për këto procedura. Me zgjedhjen e drejtorit fillon procedura për regjistrimin e fëmijëve dhe të punësuarve në çerdhe”, tha Neziri
Ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani që nga janari tha se Tearca e ka lejen për çerdhe.
“Tearca e ka lejen, është fituar dhe është miratuar si çerdhe dhe pritet të hapët si çerdhe”, pati deklaruar Fatmir Limani.
Në çerdhen në Përshefcë të komunës së Tearcës pritet të regjistrohen 150 fëmijë, ndërsa kjo çerdhe do të jetë e hapur dhe për fëmijët me nevoja të veçanta, pasi që në kërkesën për punësim nga kjo komunë janë paraparë edhe logoped dhe i gjithë stafi i nevojshëm për këta fëmijë.