Trendy

Pas zgjedhjeve lokale: BDI dhe LSDM në presion për reforma të thella të brendshme

Para 5 muaj

Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, skena politike në Maqedoninë e Veriut duket se ka hyrë në një fazë të re, ku fjalët kryesore janë “reforma” dhe “ndryshim”. Humbjet në komuna që pësuan disa nga partitë më të mëdha kanë hapur debat të gjerë për përgjegjësitë, domosdoshmërinë e transformimeve të brendshme dhe përgatitjet për periudhën që vjen.

Në këtë kontekst, vëmendja është përqendruar kryesisht te Bashkimi Demokratik për Integrim dhe te Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, dy subjekte që aktualisht po përballen me kërkesa të brendshme dhe të jashtme për reformim të thellë. BDI, që për më shumë se dy dekada ishte pjesë konstante e pushtetit, deri më 20 dhjetor pritet të mbajë Kongresin e saj të partisë, prej të cilit priten reforma dhe emra të rinj në skenë, si sinjal për largimin nga figurat e vjetra të kryesisë. Një paralajmërim për këtë kurs të ri u pa edhe me ndërrimin e koordinatorit dhe zv/koordinatorit të grupit parlamentar – në vend të Blerim Bexhetit dhe Arbana Pashollit, pozitat i morën Rina Ajdari dhe Dijana Toska.

“Me mirëkuptim dhe vetëiniciativë, kemi dorëzuar shkresat për tërheqjen nga funksionet, z. Bexheti si koordinator dhe unë si zv. koordinatore e grupit parlamentar të Frontit Europian. Pas konsultimeve dhe me pëlqimin e Kryesisë Qendrore, janë propozuar znj. Rina Ajdari si koordinatore dhe znj. Dijana Toska si zëvendës-koordinatore. Ky proces, i dakorduar më herët, sot është formalizuar në mënyrë institucionale dhe do të finalizohet në ditët në vijim”, ka bërë të ditur deputetja Pasholli.

Nga vetë struktura e BDI-së tashmë po vijnë sinjale për reflektim. Në këtë ijë është edhe komunikata e publikuar ditë më parë nga Sekretariati për Mundësi të Barabarta, ku kërkoi përgjegjësi për integritetin politik dhe moral. “Ngjarjet e fundit kanë hapur debat të gjerë në shoqëri dhe kanë ngritur nevojën për reflektim të thellë brenda strukturave të partisë. BDI-ja është ndërtuar mbi vlera të qarta politike dhe morale integritet, drejtësi, barazi dhe përkushtim ndaj qytetarëve – vlera të cilat duhet të ruhen dhe të përfaqësohen me dinjitet nga të gjithë anëtarët dhe përfaqësuesit tanë”, thanë nga Sekretariati për mundësi të barabarta në BDI.

VLEN: BDI NË VEND TË REFLEKTIMIT VAZHDON ME PROPAGANDË

Megjithatë nga koalicioni VLEN theksojnë se BDI nuk i ka me seriozitet reformat e paralajmëruara. Nga VLEN thonë se BDI në vend që të merr mesazhin e duhur nga humbja katastrofave në zgjedhje lokale, po tenton të shpik armiq imagjinar.

“Të gjithë e panë, të gjithë e dinë se BDI është fshirë nga harta politike. Vetëm ata që e shkatërruan, sot bëjnë sikur s’e kuptojnë. Në vend që të pranojnë fundin, shpikin teori konspirative si dikur miku i tyre që sot jeton në ekzil, Nikolla Gruevski. Shpikin armiq imagjinarë dhe ‘fajtorë’ të radhës, por kurrë vetveten. Për dy dekada, e ushqyen pushtetin me gënjeshtra dhe frikë, dhe sot, kur populli ua mbylli derën, nuk kanë as dinjitetin minimal për të heshtur. BDI nuk ra rastësisht e rrëzoi arroganca, mashtrimi dhe hajnia që e kthyen në kulturë partie”, theksojnë nga VLEN. Nga koalicioni partive shqiptare në pushtet në veçanti kritikojnë edhe daljen në media të sekretarit organizativ të BDI-së Blerim Bexheti. Sipas VLEN-it kjo dëshmon se BDI vazhdon me politikën e saj të vjetër.

“Në çdo dalje të tij publike, BDI e vulos edhe një herë dështimin e vet, duke dëshmuar se nuk ka më as ide, as moral, e as njerëz që mund ta shpëtojnë nga rënia. Duke shpallur si shenjë ndryshimi që Blerim Bexheti nuk do të jetë më koordinator i grupit parlamentar! Kjo është “reforma” që premton BDI t’i lëvizë karriget, por jo njerëzit që për dy dekada u bënë sinonim i arrogancës dhe abuzimit. Nëse për ta ‘ndryshimi’ fillon dhe mbaron me Blerim Bexhetin, atëherë BDI e ka vulosur vetë fundin e vet politik”, thonë nga VLEN.

VMRO-DPMNE: NA DUHET NJË OPOZITË E FORTË, LSDM TË REFORMOHET

Edhe partia më e madhe në vend VMRo-DPMNE kërkon nga partia më e madhe opozitare maqedonase reformim. VMRO-DPMNE vlerëson se LSDM edhe pse pësoi një disfatë historike nuk po përpiqet të bëjë reforma. Maqedonisë i duhet një opozitë e vërtetë, dhe kjo nuk do të ndodhë pa dorëheqjen e Filipçes dhe reforma në LSDM, vlerësojnë nga VMRO. Anëtari i Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Manasievski vlerëson se rezultatet janë tregues i qartë se populli ka ndëshkuar sjelljen e tyre të shkujdesur dhe arrogante.

“Me vetëm 6 komuna të fituara, 126 mijë vota dhe rreth 230 këshilltarë, LSDM humbi atë që dikur ishte përparësia e saj më e madhe, mbështetjen në mjediset ku dikur dominonte. Në LSDM nuk ka reforma, por vetëm përpjekje për të shpëtuar individë dhe për të fshehur fajtorin e vërtetë për humbjen, Venko Filipçen. Dorëheqjet pa përmbajtje nuk janë zgjidhje, por vetëm shtyrje e të pashmangshmes, që është nevoja për ndryshim të plotë në krye të partisë, duke filluar nga Filipçe”, theksoi Manasievksi. Ai më tej tha se është e qartë se LSDM vazhdon të funksionojë nën diktatin e Zoran Zaevit.

LSDM: VMRO – PARTI E KRIMIT, HUMBI 140 MIJË VOTA

Nga ana tjetër, LSDM vlerëson se VMRO-DPMNE është partia e parë për nga krimi dhe premtimet e paplotësuara, prandaj edhe humbi 140.000 vota.

“Fitorja e tyre është fitore e ‘pirros’, sepse qytetarët qartë i kanë njohur politikat e tyre të gabuara në çdo fushë. Po lulëzojnë klientelizmi, partizimi, paaftësia dhe arroganca. Brenda një viti nga mandati, VMRO-DPMNE nuk ka asnjë politikë me të cilën mund të mburret – dhe qytetarët e shohin këtë. Shteti është në gjunjë ekonomikisht, financiarisht dhe socialisht dhe për fat të keq, ky trend do të vazhdojë”, theksojnë nga LSDM. Social-demokratët vlerësojnë se VMRO-DPMNE përveç konferencave për shtyp, me sulme ndaj LSDM-së, nuk janë në gjendje të ofrojnë asgjë tjetër, prandaj vlerësojnë se mbështetja me të cilën VMRE erdhi në pushtet, do të vazhdojë të bjerë.

Pas zgjedhjeve, skena politike në Maqedoninë e Veriut po hyn në një fazë vetëpastrimi të domosdoshëm. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse thirrjet për reforma do të përkthehen në ndryshim real, apo do të mbeten vetëm manovra për mbijetesë politike. (koha.mk)

Trending