Trendy

Pasiguria për armëpushimin SHBA-Iran rikthen frikën për furnizimin duke rritur çmimet

Para 2 orë

Çmimet e energjisë janë rritur pasi pasiguria rreth një armëpushimi të brishtë mes SHBA-së dhe Iranit dhe perspektiva për rifillimin e bisedimeve ngritën shqetësime të reja për ndërprerje të furnizimit global. Nafta Brent arriti rreth 98.50 dollarë për fuçi rreth orës 18:40 GMT, ndërsa referenca amerikane West Texas Intermediate u rrit në rreth 89.60 dollarë.

Çmimet e gazit natyror në Evropë u rritën gjithashtu me 8,2 për qind, me kontratat TTF që arritën rreth 43.7 euro (51.3 dollarë) për megavat-orë, ndërsa tregjet reflektonin një rrezik më të ulët për ndërprerje më të thella të furnizimit.

Rritjet erdhën pasi tregjet rishqyrtuan rrezikun se diplomacia mund të dështojë për të siguruar zgjatjen e armëpushimit dyjavor, i cili pritet të përfundojë nesër me kohën e Washingtonit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se armëpushimi është shkelur “shumë herë” nga Irani dhe sinjalizoi se zgjatja është “shumë e pamundur” nëse nuk arrihet një marrëveshje paraprakisht.

Dyshime shtesë u shfaqën pasi nisja e planifikuar e një delegacioni amerikan drejt Pakistanit për një raund të dytë bisedimesh ballë për ballë me Iranin sot u shty për shkak të “takimeve shtesë politike” në Washington.

Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Neë York Times, zv/presidenti amerikan, JD Vance, i cili pritet të udhëtojë në Islamabad, qëndroi në Washington për të marrë pjesë në takimet në Shtëpinë e Bardhë. Një zyrtar tjetër i Shtëpisë së Bardhë i cituar nga Washington Post tha se nisja u shty për shkak të “takimeve shtesë politike” që përfshijnë zv/presidentin Vance, pa dhënë një afat të ri.

Më herët, Pakistani tha se vendimi i Iranit për të marrë pjesë në bisedime mbetet i paqartë.

“Përgjigjja zyrtare nga pala iraniane për konfirmimin e delegacionit për të marrë pjesë në bisedimet e paqes në Islamabad ende pritet”, shkroi ministri i Informacionit i Pakistanit Attaullah Tarar në rrjetin social amerikan X.

Trending