Trendy

Pasuria rekorde e gjermanëve! Si është e mundur?

Para 2 muaj

Në Gjermani plot 17 milionë njerëz konsiderohen të rrezikuar nga varfëria, por gjermanët kurrë nuk kanë pasur kaq shumë para! (I varfër në Gjermani konsiderohet ai që ka më pak se 60% të rrogës mesatare, që i bie diku rreth 1.400 euro në muaj). Kështu thuhet në statistika, por statistikat nuk janë gjithmonë treguesit më të mirë…

Po si shkojnë këto gjëra bashkë? Shkojnë sepse shtresa e mesme dhe të varfërit po varfërohen edhe më shumë. Ndërsa të pasurit shtojnë pasurinë…

Me një fjalë, gjermanët mesatarisht janë më të pasur se kurrë më parë! Një studim i ri nga DZ Bank parashikon një rritje prej pesë përqind në një total prej nëntë trilionë eurosh në vitin 2025.

Në vitin 2024, asetet u rritën me një shifër të konsiderueshme prej shtatë e gjysmë përqind në nëntë trilionë euro. Por siç e thash, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve mbetet i madh.

50 % e totalit të aseteve mbahen nga 10% e familjeve më të pasura, që investojnë kryesisht në aksione dhe fonde dhe kështu përfitojnë më shumë nga rritja e pasurisë. Në fund të shkallës së të ardhurave, njëzet milionë familje së bashku kanë vetëm 8 përqind të totalit të aseteve.

Analiza e DZ Bank përfshin para të gatshme, depozita bankare, letra me vlerë dhe kërkesa sigurimi.

Një tjetër anketë tregon se 63 % e gjermanëve janë të shqetësuar se nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë jetesën.

Megjithatë, vetëm 31 përqind kursejnë midis 100 dhe 300 euro në muaj, 19 përqind kursejnë më pak se 100 euro dhe 20 përqind nuk kursejnë asgjë.

Pavarësisht të gjitha pasigurive 42 përqind presin këtë vit të ardhura më të larta, ndërsa 39 përqind shpresojnë për efekte pozitive nga ndryshimi në qeveri.

Po ju, çfarë pritni nga ky vit? A do të jemi më të pasur apo më të varfër në fund të vitit 2026?

Trending