Një zhvillim i papritur ka shënuar fazën përmbyllëse të numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke sjellë ndryshime në shpërndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rezultateve të fundit të përditësuara, Partia Demokratike e Kosovës ka arritur ta rikthejë ulësen e 23-të parlamentare, duke përmbysur projeksionet e mëhershme. Ky mandat i është marrë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nga 15 deputetë sa parashihej fillimisht, tash pritet të përfaqësohet me 14 ulëse në Kuvend.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka konsoliduar pozitën e saj duke arritur në 57 mandate parlamentare, pas përditësimit të rezultateve nga votat me postë dhe ato me kusht. Ky rezultat e afron më shumë partinë fituese drejt një shumice solide, ndonëse ende mbetet për t’u parë ndikimi përfundimtar i të gjitha votave të numëruara.
Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6 ulëse në Kuvend, duke ruajtur përfaqësimin e saj parlamentar në legjislaturën e re.
Gjatë ditës së djeshme, PDK kishte humbur një deputet nga votat me postë, të cilin e kishte fituar LVV. Por, me numërimin e votave me kusht, PDK ka rikthyer këtë mandat, i cili i është marrë LDK-së.








