Partia Demokratike Shqiptare ka njoftuar sot konstituimin e Këshillit Koordinativ, organ i ri udhëheqës i cili do të ketë rol qendror në procesin e riorganizimit të strukturave partiake, në përputhje me konkluzat e Kuvendit Qendror.
Në mbledhjen e parë, me përbërje të plotë, Këshilli zgjodhi si kryesues z. Imer Aliun. Sipas njoftimit, ky proces synon hapjen e një faze të re të konsolidimit të partisë, përforcimin e disiplinës së brendshme dhe të strukturës organizative në nivel qendror dhe lokal.
Gjithashtu, PDSH parashikon përfshirjen e kuadrove të rinj dhe profesionistë me integritet, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e komunikimit të brendshëm, si hapa të domosdoshëm në funksion të forcimit politik dhe institucional të partisë.
Sekretariati për informim i PDSH-së thekson se ky është një proces i qëndrueshëm dhe i hapur, i cili do të shoqërohet me aktivitete të koordinuara në terren në javët dhe muajt në vijim.










