Shtetet e Bashkuara po mendojnë ndërhyrjen ushtarake në Hormuz, nëse nuk ka marrëveshje me Iranin deri të premten, kur dhe skadon ultimatumi i Trump.
Lajmi raportohet nga Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me zhvillimet.
Sipas raportimit, anija zbarkuese amfibe USS New Orleans dhe rreth 2,200 marinsat nga Divizioni i 31-të i Marinës do të transferohen në Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), e cila është përgjegjëse për forcat amerikane në Lindjen e Mesme. Pas mbërritjes në rajon, trupave do t’u duhen edhe rreth dy ditë për të arritur në Ngushticën strategjike të Hormuzit, një pikë kyçe për qarkullimin global të naftës.
Në të njëjtën kohë, The New York Times raportoi se Pentagoni po shqyrton një skenar edhe më të avancuar ushtarak: dërgimin e rreth 3,000 parashutistëve nga Divizioni i 82-të Ajror, si pjesë e një force reagimi të shpejtë.
Sipas këtij plani, trupat mund të përdoren për të mbështetur operacione në territorin iranian dhe, nëse konsiderohet e nevojshme, për të marrë kontrollin e ishullit Kharg. Ky ishull është nyja kryesore e eksporteve të naftës së Iranit dhe ka rëndësi të madhe strategjike për ekonominë e vendit.
Brigada e përfshirë bën pjesë në “Immediate Response Force”, një njësi që mund të dislokohet kudo në botë brenda 18 orësh. Ajo pritet të veprojë në koordinim me njësitë e marinës që tashmë janë në lëvizje drejt rajonit.
Sipas burimeve ushtarake, marinsat mund të ndërhyjnë fillimisht për të siguruar dhe riparuar infrastrukturën e aeroportit në ishullin Kharg, e dëmtuar nga sulmet e fundit ajrore amerikane. Kjo do të mundësonte më pas uljen e avionëve transportues C-130, të cilët do të sillnin trupa, pajisje dhe furnizime shtesë.
Parashutistët e Divizionit të 82-të, megjithëse nuk janë të pajisur me armatim të rëndë, konsiderohen thelbësorë për ndërhyrje të shpejta dhe fleksibël, duke ofruar mbështetje të menjëhershme dhe duke përforcuar forcat në terren pas fazës fillestare të operacioneve.
Këto zhvillime tregojnë për një rritje të ndjeshme të tensioneve dhe përgatitje për skenarë të ndryshëm, nga presioni diplomatik deri te një ndërhyrje e mundshme ushtarake më e gjerë në rajon. /Pamfleti










