Trendy

Pentagoni paralajmëron Iranin: SHBA “më se e gatshme” të rifillojë luftën

Para 2 orë

Shtetet e Bashkuara janë “më se të afta” për të rifilluar veprimet ushtarake kundër Iranit nëse përpjekjet diplomatike nuk çojnë në një marrëveshje, deklaroi të shtunën Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Deklarata u bë gjatë Dialogut Shangri-La në Singapor, një nga forumet më të rëndësishme globale për sigurinë, ku Hegseth theksoi se Washingtoni ruan kapacitete të mjaftueshme ushtarake dhe rezerva armësh për një përshkallëzim të mundshëm.

“Aftësia jonë për të rifilluar [operacionet], nëse është e nevojshme, është se ne jemi më se të aftë; rezervat tona janë më se të përshtatshme për këtë, si në rajon ashtu edhe globalisht, për shkak të mënyrës se si balancojmë municionet e avancuara me ato më të shumta”, tha Hegseth, sipas AFP.

Megjithatë, shefi i Pentagonit theksoi se administrata amerikane vijon të mbështesë përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të arritur një marrëveshje me Teheranin.

Sipas Hegseth, Trump synon një “marrëveshje domethënëse”, e cila do të garantojë që Irani të mos arrijë të pajiset me armë bërthamore.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta mes Washington-it dhe Teheranit, ndërsa administrata amerikane po përpiqet të balancojë presionin ushtarak me kanalet diplomatike.

Në të njëjtën kohë, Hegseth njoftoi se Shtetet e Bashkuara planifikojnë një investim prej 1.5 trilionë dollarësh në mbrojtje gjatë këtij viti, duke e cilësuar si një investim “gjeneracional” në kapacitetet ushtarake amerikane.

Trending