Më 14 mars do të hapet tuneli i Murrizit që është pjesë e autostradës “Rruga e Arbrit”, ka paralajmëruar zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, përcjell TV21. Ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me Maqedoninë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.
Me lëshimin në përdorim të tunelit, nga vendkalimit kufitar “Bllatë” afër Dibrës, deri në Tiranë do të arrihet për një orë. Aktualisht, siç informoi Balluku, në tunelin e Murrizit po punohet për detajet e fundit, instalimin dhe montimin e pajisjeve të nevojshme, si dhe hedhjen e shtresave asfaltit në segmentin dalës të tunelit. Tuneli ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8,5 km. Rruga e Arbrit në total është e gjatë 74 km dhe pritet të bëhet një korridor i rëndësishëm lidhës Lindje-Perëndim.