Trendy

Për sa kohë do të durojmë këtë teatër të neveritshëm?

Para 8 muaj

Shkruan: Enver Tahiri

Përsëri dhe përsëri, si një skenar i shkruar keq, stadiumet shndërrohen në arena të urrejtjes më primitive. Parullat “Vdekje për shqiptarët”, “Dhoma gazi”, “Maqedoni e pastër” nuk janë më incidente të izoluara. Ato janë refreni i një kënge të vjetër e të stërkënduar, një melodi e qëllimshme që ushqen nacionalizmin më të sëmurë maqedonas.

Kjo nuk është thjesht huliganizëm. Ky është një projekt i mirëmenduar.
Pala maqedonase, nga strukturat më të ulëta të tifozëve deri te heshtja miratuese e qarqeve të caktuara, e përdor këtë urrejtje si mjet.
Është një valvul presioni për të mbajtur gjallë një narrativë nacionaliste, për të krijuar një armik të brendshëm dhe për të justifikuar politikat e tyre.
Ata janë skenaristët dhe regjisorët e këtij turpi që përsëritet, duke e ditur se kjo frymë urrejtjeje i mban ata relevantë.

Por dhimbja më e madhe nuk vjen vetëm nga fyerja e tyre.

Dhimbja më therëse vjen nga pafuqia jonë, nga paaftësia skandaloze e lidershipit tonë politik.

Për dekada me radhë, politikanët shqiptarë kanë dështuar të bëjnë gjënë më minimale: të mbrojnë dinjitetin e popullit që i ka votuar.

Çfarë kemi marrë prej tyre pas çdo incidenti? Deklarata boshe. Konferenca shtypi të regjistruara me nxitim. Postime “të ashpra” në Facebook dhe show mediatik që zgjat 24 orë. Dhe pastaj? Asgjë. Heshtje. Harresë. Deri në herën tjetër.

Ata sillen si zjarrfikës pa ujë, që bëjnë zhurmë me sirena, por kurrë nuk e shuajnë zjarrin. Kjo paaftësi nuk është më e justifikueshme. Është bashkëfajësi.
Nuk na duhen më deklaratat tuaja! Nuk na duhen më lotët tuaj të krokodilit para kamerave!
Kërkojmë hapa seriozë dhe konkretë. Kërkojmë veprime që kanë peshë dhe pasoja.
Nëse shteti, federata dhe institucionet e tyre nuk janë në gjendje të garantojnë sigurinë dhe dinjitetin e sportistëve dhe tifozëve shqiptarë, atëherë ndoshta ka ardhur koha për një zgjidhje radikale.

Ja një sugjerim konkret, që të mos thoni se vetëm kritikojmë: nëse ky skenar i shëmtuar përsëritet edhe një herë të vetme, politikanët shqiptarë duhet të iniciojnë menjëherë formimin e një federate dhe kryesie sportive paralele për shqiptarët.

Le të garojmë në ligat tona, me standardet tona, ku dinjiteti njerëzor dhe respekti janë mbi urrejtjen etnike. Le të shohim pastaj se kush do t’i mbushë stadiumet e tyre boshe dhe kush do të ketë të ardhme në sport.
Ndoshta vetëm kur të përballen me pasojat reale të veprimeve të tyre, si pala maqedonase ashtu edhe politikanët tanë të përgjumur, do ta kuptojnë se kupa e durimit tonë është derdhur tashmë.

Trending