Obeziteti është shndërruar në një problem i madh shëndetësor në Maqedoninë e veriut për dekada. Sipas statistikave zyrtare nga viti 1990 deri tani numri i personave me këtë problem është dyfishuar në vendin tonë, shkruan Lideri.mk.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), normat e obezitetit janë rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga vitet 1980. Obeziteti është i lidhur me një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës, goditjet në tru, infertilitetin, sëmundjet neurologjike dhe disa lloje kanceri, rritjen e presionit mbi sistemin e kujdesit shëndetësor dhe shkurtimin e jetëgjatësisë.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që komuniteti shkencor, si dhe industria farmaceutike, kërkuan intensivisht mënyra për të trajtuar në mënyrë efektive obezitetin.
Deri kohët e fundit, ndërhyrjet përfshinin ndryshime në dietë, rritje të aktivitetit fizik, terapi njohëse-sjellëse dhe, në raste ekstreme, kirurgji gastrik bypass. Por rezultatet ishin të ndryshueshme dhe shkalla e suksesit afatgjatë ishte relativisht e ulët. Në këtë kuadër, ardhja e barnave të reja si semaglutide dhe tirzepatide shkaktoi interes dhe optimizëm të madh.
Ndërkohë Alsat raporton se mbi 50 për qind e popullsisë në vend është me obezitet, ndërsa viteve të fundit më së shumti kjo dukuri është përhapur tek fëmijët dhe adoleshentët. Shkaqet për këtë janë ushqimet e shpejta dhe mungesa e aktiviteteve fizike.
“Në momentin që ne i ushqejmë me dhunë fëmijët sidomos kur kemi përshtypjen se një fëmijë nuk ka peshë të mjaftueshme, kjo ndikon që të çrregullohet qendra e ngopjes në tru dhe pastaj me kalimin e kohës këto fëmijë nuk arrijnë që të kontrollojnë ndjenjën e ngopjes dhe në momentin që ne marrim ushqim pas ngopjes, ushqim pasi që kemi plotësuar nevojat atëherë arrin deri tek mbi pesha”, tha Valbona Kadriu, dietologe.
Prej disa vitesh në Maqedoninë e Veriut funksionon edhe Qendra për trajtim të obezitetit, prej ku kanë njoftuar për portalin Lideri.mk se personi më i shëndoshë që trajtohet tek ata peshon 210 kilogramë.
Kjo qendër funksionon në kuadër të Spitalit “8 Shtatori”. Në këtë qendër ka nutricionist, psikolog, ekip endokrinologësh, ortopedë dhe kirurgë./Lideri