Një peticion i nisur së fundmi nga aktivistja shqiptare Lume Huseini po ngjall reagime dhe mbështetje të gjerë nga komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ajo i bën thirrje kompanisë ndërkombëtare Coca-Cola HBC që të përfshijë gjuhën shqipe në fushatat e saj të marketingut në vend, duke theksuar mungesën e përfaqësimit të denjë të një pjese të madhe të popullsisë.
Sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021, shqiptarët përbëjnë 24.3% të popullsisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut, duke u renditur si komuniteti i dytë më i madh pas maqedonasve. Gjuha shqipe ka statusin zyrtar si gjuha e dytë në vend. Megjithatë, Coca-Cola North Macedonia ka zhvilluar fushatën e saj “Share a Coke” ekskluzivisht në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik, duke anashkaluar krejtësisht gjuhën shqipe dhe konsumatorët shqiptarë.
“Ky përjashtim nuk është vetëm një lëshim i rastësishëm, por një mesazh se gjuha dhe kultura jonë nuk kanë rëndësi,” – shkruan Huseini në tekstin e peticionit. Ajo e cilëson këtë si një mosrespekt ndaj realitetit multietnik të vendit dhe bën thirrje për bojkotim të produkteve të Coca-Cola derisa të ketë një reflektim të qartë përfshirjeje dhe respekti ndaj diversitetit kulturor në Maqedoninë e Veriut.
Peticioni kërkon që Coca-Cola HBC të respektojë gjuhët dhe kulturat e të gjithë konsumatorëve të saj, duke filluar me përfshirjen e gjuhës shqipe në dizajnet e produkteve dhe fushatat reklamuese.
Fushata e Huseinit është bërë një thirrje publike për përfaqësim të barabartë dhe për respekt të ndërsjellë në një vend ku bashkëjetesa shumëetnike duhet të reflektohet edhe nga brendet globale.
🔗 Nëse dëshironi të mbështesni këtë iniciativë, mund të nënshkruani peticionin online dhe të bashkoheni me zërin kolektiv për përfshirje dhe barazi klikoni këtu https://www.change.org/p/urge-coca-cola-hbc-to-include-albanian-language-in-campaigns-and-products





