“Bllokada, kaos, dhunë, ikja nga vendi apo vrasja e Vuçiqit, bllokada e Radio Televizionit të Serbisë, lufta qytetare, bllokada dhe marrja e Kuvendit të Serbisë… “
Këto janë vetëm disa nga “planet” e studentëve dhe opozitës, njoftojnë sot mediat e afërta me Vuçiqin, të cilat publikojnë edhe audio – inçizime nga një takim “sekret” në Novi Sad, të mbajtur me 12 mars.
Këto media (ndër to edhe Politika) kanë publikuar edhe inçizimet nga një takim ku thuhet se janë hartuar edhe planet A, B, C… ku parashikohen protestat, kaosi, dhuna, incidentet, ndërhyrja e policisë, bllokimi i institucioneve etj.
Gjatë këtij inçizimi, në momentin kur flitet për mundësinë e reagimit të Vuçiqit, mundësinë e largimit të tij nga vendi apo ndonjë skenar tjetër, dëgjohet dikush që thotë se “Vuçiqin duhet vrarë…”
Këto të dhëna janë të bazuara në audio-inçizime, janë publikuar në mediat e afërta me Vuçiqin dhe nuk janë konfirmuar nga ndonjë burim tjetër i pavarur.
Sidoqoftë, vetë Vuçiqi vetë ka deklaruar se nesër në Beograd pritet dhunë dhe kaos dhe se shteti është i gatshëm të ndërhyjë dhe të ndërprejë protestat. Nga opozita është interpretuar kjo deklaratë si parapërgatitje të forcave të Vuçiqit për dhunë. Sidoqoftë, presidenti serb ka thënë se shteti do të përgjigjet me të gjitha mjetet.
Në qendër të Beogradit janë mbledhur edhe grupe të njerëzve që mbështesin Vuçiqin. Disa media njoftojnë se kanë ardhur edhe disa grupe të serbëve nga Kosova për ta mbrojtur ate…
Nesër me 15 mars në Beograd pritet protesta më e madhe prej fillimit të protestave para rreth katër muajsh kundër Vuçiqit dhe qeverisë së tij.
/Bahri Cani/