Po “gatuhen” risi për të siguruarit në fondin e dytë të detyrueshëm dhe të tretë vullnetar të pensioneve. Futet sistemi i multifondeve në sigurimin pensional me financim kapital. U zgjidhen duart shoqërive private pensionale që paratë e të siguruarve t’i shumëfishojnë më shumë. Vendimtare është mosha e të siguruarve, ndërsa zgjedhja është mes tre portofolesh – rritës, i balancuar dhe konservativ. Zgjidhjet e reja tashmë janë vendosur në ENER ku ka vërejtje dhe komente. Nga Ministria e Politikës Sociale thonë se ato do të shqyrtohen dhe do të jenë pjesë e raportit që do t’i dorëzohet Qeverisë.
“Në sigurimin pensional të detyrueshëm me financim kapital, gjatë zgjedhjes së llojit të portofolit në fondin pensional të detyrueshëm, i siguruari duhet të udhëhiqet nga mosha e mbushur, ku: i siguruari deri në 45 vjeç mund të zgjedhë portofol rritës ose të balancuar, i siguruari nga 45 deri në 57 vjeç mund të zgjedhë portofol rritës, të balancuar ose konservativ dhe i siguruari mbi 57 vjeç mund të zgjedhë portofol të balancuar ose konservativ”, tha Ministria e Politikës Sociale.
Nga resori shpjegojnë se risitë vijnë sepse aktualisht çdo shoqëri menaxhon vetëm një fond dhe me një strategji të vetme investimi për të gjithë anëtarët, pa marrë parasysh moshën apo kohën deri në pension. Thonë se kjo krijon problem, është e rrezikshme për më të moshuarit që janë afër pensionit dhe e kufizuar për të rinjtë që do të mund të kishin kthim më të lartë.
“Rregulloret në fuqi nuk sigurojnë mbrojtje të përshtatshme të vlerës së mjeteve para pensionimit, pasi rreth 30% e vlerës së mjeteve të fondit pensional investohen në portofol aksionar, përkatësisht në instrumente me kthim të ndryshueshëm. Nëse ndodhin lëvizje negative në tregjet financiare, personat që duhet të dalin në pension do të humbasin një pjesë të vlerës së tyre, gjë që nuk do të ndodhte nëse do të ishte zbatuar modeli i multifondeve”, tha Ministria e Politikës Sociale.
Me futjen e më shumë portofolesh mundësohet sigurimi i një kthimi më të lartë të pritshëm për anëtarët më të rinj, rritja e stabilitetit për ata që po i afrohen pensionit si dhe ulja e rrezikut për ata që janë para pensionimit. Përndryshe, aktualisht mosha mesatare e anëtarëve është 37 vjeç. Edhe pse për zgjidhjet e propozuara ligjore të publikuara në ENER kishte vërejtje dhe komente, nga shoqëritë private pensionale nuk i komentojnë risitë derisa të arrijnë versionet përfundimtare.










