Trendy

Policët mund të mbajnë mjekër dhe tatuazhe, e mundëson rregullorja e re e MPB-së

Para 2 orë

Policët në Maqedoni nga tani do të mund të mbajnë mjekër të rregullt dhe lloje të caktuara tatuazhesh, pasi Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë ndryshime në Rregulloren për sjelljen dhe marrëdhëniet e ndërsjella të punonjësve në MPB.

Nga Ministria informojnë se Rregullorja është miratuar më 4 maj të këtij viti, ndërsa me iniciativë të Sindikatës së Pavarur të Policisë janë propozuar ndryshime që lidhen me pamjen e policëve.

Pas shqyrtimit të propozimit, MPB i ka pranuar ndryshimet dhe më 1 qershor janë miratuar plotësimet.

Sipas rregullave të reja, policët me uniformë do të mund të kenë mjekër, por ajo duhet të jetë e shkurtër, e rregullt dhe e mirëmbajtur, pa e cenuar pamjen profesionale të punonjësit.

“Mjekra duhet të jetë e pastër, e kuruar dhe e mirëmbajtur rregullisht, me konture të qarta në faqe dhe qafë, dhe nuk duhet të pengojë përdorimin e pajisjeve zyrtare, përfshirë maskën mbrojtëse”, thuhet në Rregullore.

Ndryshimet kanë të bëjnë edhe me tatuazhet. Sipas dispozitave të reja, policët me uniformë nuk do të lejohen të kenë tatuazhe të dukshme në pjesët e trupit që ekspozohen gjatë mbajtjes së uniformës, përveç në ekstremitetet e sipërme. Tatuazhet nuk duhet të përmbajnë përmbajtje fyese, raciste apo vulgare që mund të dëmtojë reputacionin e Ministrisë.

Informacionin e konfirmoi edhe Sindikata e Pavarur e Policisë, nga ku vlerësojnë se bëhet fjalë për një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të kushteve të punës dhe harmonizimit me praktikat që tashmë zbatohen në shumë shtete evropiane.

Përveç këtyre ndryshimeve, është pranuar edhe propozimi për heqjen e kufizimeve në përdorimin e telefonave mobilë për disa shërbime policore.

Nga MPB thonë se me ndryshimet arrihet një ekuilibër mes nevojave moderne të policëve dhe ruajtjes së standardeve për profesionalizëm, disiplinë dhe reputacion të shërbimit policor.

Trending