Policia arreston 11 shoferë për drejtim të pakujdesshëm, tetë prej tyre vozitën pa patentë
Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka privuar nga liria 11 shoferë në territorin e Maqedonisë së Veriut, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”.
Sipas njoftimit të autoriteteve, tetë prej shoferëve të ndaluar kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, ndërsa njëri prej tyre ka qenë i mitur.
Dy shoferë janë kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit. Njëri prej tyre, gjatë drejtimit të automjetit në gjendje të dehur, ka shkaktuar edhe aksident rrugor.
Ndërkohë, një shofer tjetër është ndaluar pasi kishte drejtuar automjetin edhe pse ndaj tij ishte në fuqi një ndalim aktiv për drejtimin e automjeteve motorike.
Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave të ndaluar do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.
Policia u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, nën ndikimin e alkoolit apo gjatë kohës kur ndaj tyre është në fuqi ndalim për drejtim.
Nga policia theksojnë se vetëm me sjellje të përgjegjshme mund të kontribuohet për rritjen e sigurisë në komunikacion./Aktuale.mk











