Policia izraelite arrestoi të hënën në mbrëmje imamin e Xhamisë Al-Aksa, Sheikh Mohammed al-Abbasi, brenda oborrit të xhamisë në Jerusalemin e pushtuar.
Agjencia palestineze WAFA, duke cituar burime lokale, raportoi se “forcat izraelite e arrestuan Sheikh al-Abbasin brenda oborreve të Xhamisë Al-Aksa” pa dhënë ndonjë arsye, shkruan agjencia e lajmeve Anadollu.
Arrestimi i tij vjen në kuadër të masave të përshkallëzuara izraelite ndaj Xhamisë së bekuar Al-Aksa, përfshirë kufizime ndaj imamëve, predikuesve dhe besimtarëve që ndodhen atje, kufizime në hyrjen e besimtarëve dhe intensifikim të inkursioneve nga kolonët, nën mbrojtjen e rreptë të policisë izraelite.
Të martën, Hamasi dënoi arrestimin e al-Abbasit, duke deklaruar se atij i ishte “dërguar një urdhër që e ndalonte të hynte në xhami”. Lëvizja e konsideroi këtë masë si “ndërhyrje të hapur në punët e Al-Aksas dhe një sulm të papranueshëm ndaj imamëve të saj”.
Hamasi i bëri thirrje Ligës Arabe, Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe kombeve arabe dhe islamike që “të ndërmarrin veprime urgjente përmes të gjitha kanaleve të mundshme për të mbrojtur Xhaminë Al-Aksa nga rreziku i Judaizmit dhe të ushtruarin presion mbi pushtimin për të ndaluar shkeljet”.
Jerusalemi i pushtuar, veçanërisht Qyteti i Vjetër dhe zona përreth Xhamisë Al-Aksa, ka përjetuar tensione në rritje për shkak të masave të shtrënguara të sigurisë izraelite, duke përfshirë arrestime dhe urdhra ndalimi ndaj figurave fetare dhe aktivistëve palestinezë në qytet.










