TETOVË – Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka nisur një “luftë” të hapur ndaj shoferëve të papërgjegjshëm. Gjatë 24 orëve të fundit, dy të rinj kanë mbetur pa makinat e tyre pasi janë kapur duke drejtuar mjetet pa pasur fare patentë shofer.
Rasti i parë u regjistrua në fshatin Neproshten, ku u ndalua 18-vjeçari E.Z. nga Xhepçishti me një makinë “Seat Altea”. Vetëm pak orë më vonë, në aksin Pallaticë-Ozormisht, policia ndaloi 20-vjeçarin J.V. nga Strimnica me një makinë “Golf”. Në të dyja rastet, policia nuk është mjaftuar vetëm me dënimin e shoferëve, por me urdhër të Prokurorit Publik ka bërë konfiskimin e menjëhershëm të automjeteve. Kjo masë vjen si paralajmërim i fortë për të gjithë ata që guxojnë të ulen në timon pa kaluar provimin për shofer.





