Trendy

Pollogu në kantier! Tetova e Bogovina me qindra leje ndërtimi në 2025

Para 5 muaj

Ndërtimet në rajonin e Pollogut po njohin një bum të vërtetë. Vetëm gjatë muajit maj, sipas Entit Shtetëror për Statistikë, nga ky rajon janë kërkuar 146 leje ndërtimi.

Në Komunën e Tetovës, nga fillimi i vitit 2025 janë regjistruar 132 lëndë, prej të cilave 49 janë leje ndërtimi, ndërsa 36 projekte infrastrukturore të ndërmarra nga vetë komuna.

“Nga nëntori 2021 deri më sot janë trajtuar 625 lëndë me përmbajtje të ndryshme: leje ndërtimi, mbindërtime, ndërtime shtesë, rikonstruime, panele fotovoltaike e projekte infrastrukturore. Në vitin 2025 kemi 49 leje ndërtimi, nga të cilat 36 janë projekte të komunës,” deklaroi për TV21 zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani.

Në Komunën e Bogovinës, sipas kryetarit Besnik Emshiu, ndërtimet janë kryesisht shtëpi private. Ai theksoi se lejet janë të domosdoshme dhe qytetarët, përfshirë edhe mërgimtarët, i respektojnë procedurat.

“Në vitin 2025 kemi dhënë 43 leje për shtëpi dhe 21 për projektet komunale. Edhe për rrugë, shkolla e çerdhe duhet leje. Mërgimtarëve u japim mundësinë të marrin lejen gjatë pushimeve në vendlindje,” tha Emshiu.

Rritja e kërkesës për banesa në Tetovë ka ndikuar edhe në çmimet, të cilat shkojnë nga 1.200 deri në 1.700 euro për metër katror. Ndërtimet masive pritet ta mbajnë këtë trend të lartë edhe në vijim.

Trending