Një pjesë e lagjes Vizbeg të Shkupit duket se është harruar nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” kur bëhet fjalë për mbledhjen e mbeturinave. Në rrugët e kësaj lagjeje tashmë shihen thasë të grisur, mbetje të hedhura gjithandej dhe qenë e mace që i hapin e i shpërndajnë edhe më tej. Banorët thonë se mbeturinat qëndrojnë me javë të tëra, duke krijuar erë të rëndë dhe rrezik për shëndetin.
Anketë me banor
“Këto qëndrojnë tashmë tre javë e tepër. Kështu si I sheh mbeturinat, vijnë qen të rrugëve I derdhin gjithandej, del gruaja sërish I mbledh. Nuk di ku ta bëj ankesën, thanë do të bëhet më mirë por më duket edhe më keq. Era, mos pyet, mir që është dimër, sikur të ishte verë kundërmon sikur me ngordh ndonjë qen ose mace”.
“Plot nji muaj këtu askush nuk ka ardhur. Po na mbytin mbeturinat rreth e rrotull, shiko rrugët si janë. Nuk di çka me bë, a është shtet ky a nuk është. Shumë kemi prit por asgjë, shumë më keq bile. Askujt nuk I kujtohet për ne këtu, a kemi ujë a I mbledhin mbeturinat, Zoti na ruajt”.
Për shumë familje, kjo gjendje është bërë pjesë e përditshmërisë së tyre. Disa prej tyre detyrohen të përdorin makinat personale për t’i çuar mbeturinat te kontejnerët më të mëdhenj të qytetit, për të shmangur grumbullimin para shtëpive.
Anketë me banor
“Tre muaj nuk vjen askush. Si jeni gjind, ku I keni dërgu? I kemi dërgu në qytet, nuk vjen askush me mbledh, kush si gjindet. Ktu jemi 95 % shqiptarë, normal që bëhet me qëllim”.
“Është keq nuk është e hijshme për rrugët. Zakonisht me makinë I marrim dhe I hedhim nëpër kontejnerët e mëdhenjë të qytetit”.
Banorët kërkojnë që mbledhja e mbeturinave të rikthehet në orar të rregullt, ndërsa institucionet të tregojnë përgjegjësi ndaj lagjes Vizbeg, e cila, sipas tyre, po lihet pas dore prej kohësh. Pyetje dërguam edhe në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” për të marrë një sqarim mbi arsyet e mosmbledhjes së mbeturinave dhe afatin kur pritet zgjidhja e problemit, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje./Alsat.mk










