Trendy

Prej nesër nisin rregullat e reja në kufijtë e Bashkimit Evropian: Çfarë duhet të dinë udhëtarët?

Para 2 orë

Nga data 10 prill fillon zbatimi i plotë i Sistemit të ri Evropian të Hyrje-Daljeve (EES – Entry/Exit System) në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, rregull ky që prek drejtpërdrejt edhe udhëtarët nga Maqedonia e Veriut që hyjnë në zonën Shengen, përcjell INA.

Fundi i vulosjes së pasaportave

Ky ndryshim nënkupton se në pikat kufitare do të zëvendësohet vulosja tradicionale e pasaportave me një evidencë elektronike. Hyrjet dhe daljet do të regjistrohen në mënyrë digjitale duke siguruar të dhëna bazë biometrike, si shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë. Qëllimi i këtij sistemi është identifikimi më i shpejtë dhe monitorimi më efikas i kohës së qëndrimit, sipas rregullit “90 ditë qëndrim brenda një periudhe prej 180 ditësh”.

Ky rregull vlen për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për periudha afatshkurtra nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së, ku bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut.

Pritje më të gjata në kufi

Me vendosjen e sistemit EES, udhëtarët duhet të përgatiten për kontrolle më të detajuara. Paralajmërohet se, sidomos në fazën fillestare të zbatimit, mund të ketë pritje më të gjata në vendkalimet kufitare, për shkak të kohës që kërkon përpunimi i të dhënave biometrike dhe futja elektronike e informacioneve.

Protestat e transportuesve

Rregullat e reja pritet të ndikojnë ndjeshëm edhe te punonjësit e transportit dhe kamionistët. Këta të fundit janë ankuar për kompleksitetin e sistemit dhe kanë nisur protesta në nivel rajonal, pasi konsiderojnë se këto rregullore pengojnë punën e tyre. Megjithatë, për sa i përket qarkullimit të udhëtarëve me makina private dhe autobusë, procesi do të vazhdojë pa ndryshime të tjera strukturore, përveç procedurës biometrike.

Ekspertët këshillojnë udhëtarët që të nisen më herët drejt pikave kufitare me vendet e BE-së (si p.sh. kufiri me Greqinë apo Bullgarinë) për të shmangur vonesat e mundshme.(INA)

Trending