Çdo përpjekje nga Shtetet e Bashkuara për të marrë kontrollin e Kubës do të përballej me një rezistencë të pathyeshme, ka thënë të martën presidenti kuban, Miguel Diaz-Canel, ndërsa energjia elektrike është rikthyer në disa pjesë të ishullit pas një kolapsi kombëtar të rrjetit elektrik.
Administratat e njëpasnjëshme amerikane janë përpjekur të izolojnë Kubën për më shumë se gjashtë dekada, ka thënë Diaz-Canel në një postim në X, duke akuzuar Uashingtonin zyrtar se tani po përdor dobësinë ekonomike si një “pretekst të turpshëm” për ta marrë atë nën kontroll.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet lufta e ashpër ekonomike, e cila zbatohet si ndëshkim kolektiv ndaj të gjithë popullit”, ka thënë ai. “Përballë skenarit më të keq, Kuba ka një siguri: çdo agresor i jashtëm do të përplaset me një rezistencë të pathyeshme”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka provokuar vazhdimisht udhëheqjen komuniste të Kubës me kërcënime për marrje nën kontroll të vendit. Pasi ka deklaruar të hënën se mund të bëjë çfarë të dojë me ishullin, Trumpi ka thënë të martën se “Do të bëjmë diçka me Kubën shumë shpejt”.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka dhënë ndërkaq një vlerësim të drejtpërdrejtë nga Zyra Ovale.
“Kuba ka nevojë për njerëz të rinj në drejtim”, ka thënë Rubio të martën.
“Ekonomia e tyre nuk funksionon… Ata janë në shumë telashe, dhe njerëzit që janë në pushtet nuk dinë si ta rregullojnë, kështu që duhet të vendosen njerëz të rinj në drejtim”, ka shtuar ai.
Kuba ka pësuar një goditje të rëndë ekonomike pasi SHBA-ja në mënyrë efektive bllokoi furnizimin e saj me naftë në fillim të këtij viti, duke i hequr rrjetit të vjetruar elektrik burimin kryesor të karburantit.
Shumica e 10 milionë banorëve të ishullit kanë mbetur pa energji elektrike të hënën, pasi kolapsi i parë kombëtar i rrjetit elektrik detyroi banorët të gatuanin me gaz, nën dritën e llambave të dorës dhe qirinjve.
Deri të martën pasdite, energjia është rikthyer për rreth 55% të konsumatorëve në kryeqytetin Havana dhe në disa zona në perëndim dhe në rajonet qendrore-lindore të ishullit.









