Kryeministri Mickoski siguron qytetarët se gjendja e sigurisë në vend është e qëndrueshme, pavarësisht zhvillimeve në botë. Hristijan Mickoski, gjatë prezantimit të automjeteve të reja të blinduara ‘STRYKER”, pjesë e furnizimit nga SHBA-ja për ushtrinë, tha se kjo ishte një porosi prej më herët dhe nuk lidhet me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
“E qëndrueshme, pa ndonjë lëkundje. Absolutisht e kemi nën kontroll situatën, kuptohet që ka sfida dhe do të ketë edhe në të ardhmen, ajo është materie e gjallë dinamike, por ne jemi këtu ta ndjekim dhe të reagojmë nëse ka nevojë…. Këto janë porosi vijuese dhe normalisht tani servisohen dhe financiarisht paguhen nga Ministria e Mbrojtjes, respektivisht nga kjo Qeveri,” Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Bëhet fjalë për 17 automjete nga gjithsej 42,që pritet të arrijnë deri në mes të verës, të cilat janë siguruar në bazë të marrëveshjes qeveri me qeveri. Ministri i Mbrojtjes paralajmëroi edhe një sërë investimesh tjera në sferën e mbrojtjes.
“Ajo që NATO-ja e kërkon prej nesh është të investojmë 20 për qind për modernizim ne këtë e bëjmë edhe më shumë. Më shumë se 32 për qind e buxhetit tonë janë direkt për modernizim, vijojnë edhe shumë projekte. Siç mund ta vërej secili, para nesh janë kohëra të vështira, prandaj është shumë me rëndësi modernizim në pjesën e mbrojtjes,” tha Vllado Misajllovski, Ministër i Mbrojtjes.
Nga ambasada e SHBA-së në Shkup, theksojnë se Maqedonia e Veriut mbetet në rrugën e kontributit drejt paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
“Kërcënimet moderne kërkojnë aftësi moderne dhe përmes këtij programi, Maqedonia e Veriut përfiton jo vetëm sistem të ndërveprueshëm por edhe trajnim të nevojshëm për të përdorur ato në mënyrë efektive,“ tha Nicole Varnes, Ushtruese Detyre Ambasadore e SHBA-së në RMV.
Varnes nënvizoi se ky është një hap i madh përpara në modernizim të ushtrisë por edhe përforcim të pozicionit të vendit në Aleancën e NATO-së. /Alsat.mk










