Nga jiu-jitsu dhe menaxhimi i pasurisë së familjes mbretërore te siguria kombëtare, G42 dhe investimet miliardëshe në inteligjencën artificiale, Sheikh Tahnoon bin Zayed Al Nahyan është shndërruar në një nga figurat më me ndikim të Abu Dhabit …
Natën e 12 nëntorit 1993, një brazilian i ri dhe trupvogël, Royce Gracie, hyri në kafazin tetëkëndësh në Denver të Kolorados dhe u gjend përballë holandezit Gerard Gordeau. Kundërshtari ishte më i gjatë, dukshëm më i rëndë dhe kishte rreth një dekadë më shumë përvojë në sportet luftarake.
Ndeshja zgjati më pak se 100 sekonda. Gracie e rrëzoi kundërshtarin, i hipi në shpinë dhe e detyroi të dorëzohej. Rreth 80 mijë njerëz e ndoqën përmes sistemit pay-per-view finalen e turneut të parë të Ultimate Fighting Championship.
Mes tyre ishte edhe një student biznesi që jetonte në San Diego të Kalifornisë.
I impresionuar nga ajo që kishte parë, studenti shkoi në një akademi lokale të specializuar në jiu-jitsu braziliane dhe kërkoi të fillonte stërvitjen. Ai prezantohej si “Ben”, ishte në mesin e të 20-ve, vinte nga Lindja e Mesme dhe fliste shumë pak për prejardhjen e tij.
Kid Peligro, i cili më vonë u bë një emër i njohur i jiu-jitsu-së, kujton se i riu erdhi në akademi me pantallona të shkurtra, shapka dhe kanotiere, u ul në një qoshe dhe pothuajse nuk foli me askënd. Peligro mendonte se ai mund të ishte truprojë ose shërbyes i një anglezi të pasur që ndonjëherë e shoqëronte në stërvitje.
“Ben” stërvitej rregullisht dhe, sipas Peligros, qëndronte ndonjëherë pas mësimit për të pastruar tapetet. Ai vazhdoi stërvitjen edhe kur sporti ishte shumë më pak profesional dhe më i rrezikshëm se sot.
Pas më shumë se një viti, ai u tha njerëzve të akademisë se do të kthehej në Abu Dhabi dhe se do të merrte me vete themeluesin e saj, Nelson Monteiro. Më pas filluan të mbërrinin ftesa të tjera. Peligro dhe bashkëshortja e tij morën bileta të klasit të parë për në Emiratet e Bashkuara Arabe, me vlerë rreth 24 mijë dollarë secila.
Vetëm pasi mbërritën në Emirate e kuptuan se kush ishte në të vërtetë “Ben”. Ata panë imazhin e babait të tij në tabela dhe kartëmonedha, ndërsa qendra ku do të zhvilloheshin stërvitjet rezultoi të ishte pjesë e një prej pallateve të familjes.
“Ben” ishte Sheikh Tahnoon bin Zayed Al Nahyan.
Ai ishte djali i Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, themeluesit dhe presidentit të parë të Emirateve të Bashkuara Arabe. Tahnoon do të vazhdonte të merrej me jiu-jitsu dhe do të fitonte brezin e zi, por gjatë dekadave pasuese do të ndërtonte një profil shumë më të rëndësishëm në financa, siguri dhe teknologji.
Sot, ai është një nga njerëzit më të fuqishëm të Abu Dhabit, ndërsa strukturat financiare që drejton ose mbikëqyr kanë interesa nga energjia dhe bankat te shëndetësia, pasuritë e paluajtshme, infrastruktura dhe teknologjia. Sipas The Guardian, rrjeti ekonomik nën ndikimin e tij arrin një vlerë të vlerësuar prej rreth 1.5 trilion dollarësh.
Megjithatë, Tahnoon ka ruajtur një profil publik jashtëzakonisht të kufizuar. Ai nuk ka dhënë intervista të gjera për median dhe shumë prej njerëzve që punojnë me të janë të lidhur me marrëveshje konfidencialiteti. Një ish-zyrtar amerikan i sigurisë kombëtare e përshkruan atë në artikull me dy fjalë: i heshtur, por gjithmonë i pranishëm.
Kjo prani po bëhet veçanërisht e rëndësishme në inteligjencën artificiale. Tahnoon po investon në elementet bazë mbi të cilat do të mbështetet industria e AI-së: çipat, qendrat e të dhënave, rrjetet e informacionit dhe kapacitetet energjetike që nevojiten për funksionimin e tyre.
Pikërisht këtu ndërthuren dy dimensionet kryesore të karrierës së tij: financat dhe siguria kombëtare.
Nga pasuria e familjes te siguria e shtetit
Tahnoon është një nga fëmijët e Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, i cili udhëhoqi Emiratet nga krijimi i federatës në vitin 1971 deri në vdekjen e tij në vitin 2004.
Sheikh Zayed u martua disa herë dhe besohet se kishte të paktën 30 fëmijë. Një grup veçanërisht i rëndësishëm politikisht ishin djemtë e tij me Fatima Al Ketbi, të njohur si “Bani Fatima”.
Tahnoon ishte një prej tyre. Ai nuk ishte i destinuar të trashëgonte fronin e Abu Dhabit. Në vend të kësaj, mori përgjegjësi për departamentin privat të të atit, i cili administronte prona, ferma, pallate dhe investime jashtë vendit.
Në fund të viteve 1990, Tahnoon themeloi Royal Group, që u shndërrua në një prej mjeteve kryesore të investimeve të familjes. Sipas shifrave të cituara nga gazeta, asetet e grupit arrijnë sot rreth 300 miliardë dollarë.
Pas vdekjes së Sheikh Zayed në vitin 2004, roli financiar i Tahnoon u zgjerua më tej. Ai krijoi lidhje të forta me Wall Street-in, ndërsa në Abu Dhabi mori kontroll ose ndikim mbi disa prej institucioneve më të rëndësishme financiare.
Sot ai lidhet me një nga fondet kryesore sovrane të Abu Dhabit, me First Abu Dhabi Bank, bankën më të madhe të vendit, si edhe me Alterra, një fond i madh për investimet klimatike. Në Britani, strukturat e lidhura me të kanë investime në shëndetësi, prona dhe shërbime publike.
Por ndarja mes pasurisë personale të Tahnoon, pasurisë së familjes sunduese dhe aseteve shtetërore të Abu Dhabit mbetet komplekse.

Sociologia emirate Mira Al Hussein i tha The Guardian se sipërmarrës të vendit ankohen privatisht se strukturat e lidhura me Tahnoon dhe fondet sovrane mund t’i nxjerrin bizneset private jashtë konkurrencës në sektorë të caktuar. Në shëndetësi, për shembull, fondet shtetërore dhe kompanitë e lidhura me familjen sunduese kanë krijuar një prani të gjerë.
Paralelisht me financat, Tahnoon zhvilloi prej kohësh një interes të fortë për teknologjinë dhe konkurrencën. Në fund të viteve 1990, sipas artikullit, ai ishte aq i vendosur të fitonte ndaj vëllezërve në lojën strategjike Age of Empires, sa punësoi një prej zhvilluesve të lojës për ta trajnuar.
Më vonë iu kushtua shahut kompjuterik. Ai financoi zhvillimin e superkompjuterit Hydra, një sistem i fuqishëm shahu që arriti të konkurronte me mjeshtër të mëdhenj. Për periudha të gjata, vetë Tahnoon ishte përdoruesi kryesor i tij.
Interesi për teknologjinë u ndërthur me një tjetër rol gjithnjë e më të rëndësishëm: sigurinë kombëtare.
Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, udhëheqja e Emirateve e rriti ndjeshëm fokusin mbi kërcënimet e brendshme dhe ekstremizmin. Dy nga autorët e sulmeve të 11 shtatorit ishin shtetas emiratas, ndërsa Abu Dhabi u përpoq të forconte bashkëpunimin e sigurisë me Uashingtonin. Emiratet nisën të investonin gjithnjë e më shumë në teknologjitë e mbikëqyrjes dhe inteligjencës.
Një prej projekteve më të njohura ishte “Project Raven”. Projekti përfshinte ish-punonjës të Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare dhe kontraktorë të tjerë amerikanë. Fillimisht operacioni paraqitej si pjesë e luftës kundër terrorizmit. Por hetimet e Reuters dhe puna e Citizen Lab treguan se sistemet e tij u përdorën edhe kundër aktivistëve, gazetarëve dhe personave që autoritetet emirate i konsideronin kundërshtarë.
Në vitin 2011, ndërsa kryengritjet e Pranverës Arabe përfshinë rajonin, një grup gjyqtarësh, juristësh, akademikësh dhe gazetarësh emiratas nënshkruan një peticion ku kërkonin reforma politike. Autoritetet reaguan me arrestime dhe masa të tjera ndaj aktivistëve. Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë kritikuar vazhdimisht trajtimin e kundërshtarëve politikë dhe kufizimet ndaj shoqërisë civile në Emirate.
Në këtë klimë, Tahnoon vazhdoi ngritjen brenda strukturës së sigurisë. Në vitin 2014 u emërua zëvendëskëshilltar i sigurisë kombëtare dhe dy vjet më vonë mori postin kryesor. Roli i tij përfshiu edhe misione të ndjeshme diplomatike. Emiratet normalizuan marrëdhëniet me Izraelin, një vend me kapacitete të avancuara në sigurinë kibernetike.
Në të njëjtën periudhë, operacionet e mbikëqyrjes të lidhura me Project Raven kaluan në struktura të kompanisë emirate DarkMatter. Artikulli përmend disa raste të personave që dyshohet se u vunë në shënjestër të teknologjive të mbikëqyrjes. Mes tyre kishte aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë, juristë dhe politikanë jashtë Emirateve.
Një tjetër rast i trajtuar gjerësisht është ai i akademikut britanik Matthew Hedges. Në prill 2018, Hedges udhëtoi në Emirate për kërkime doktorature mbi strategjinë e sigurisë kombëtare të vendit. Ai u arrestua në aeroportin e Dubait teksa po përgatitej të kthehej në Britani.
Hedges ka deklaruar se u mbajt në izolim, iu nënshtrua marrjeve në pyetje që zgjasnin shumë orë dhe mori medikamente kundër vullnetit të tij. Ai gjithashtu ka thënë se u kërcënua gjatë ndalimit.
Autoritetet e Emirateve i kanë mohuar akuzat për torturë dhe keqtrajtim, duke deklaruar se Hedges mori trajtim të përshtatshëm. Në nëntor 2018, një gjykatë emirate e dënoi atë me burgim të përjetshëm për spiunazh. Pas një përplasjeje diplomatike me Londrën, ai mori falje presidenciale dhe u lirua.
Kur The Guardian e pyeti se ku e vendoste përgjegjësinë për atë që i kishte ndodhur, Hedges përshkroi hierarkinë e shërbimeve emirate të sigurisë dhe në krye përmendi Tahnoon. Nga ana tjetër, mbështetësit e sistemit politik të Emirateve argumentojnë se kritikat perëndimore nuk marrin mjaftueshëm parasysh rreziqet e sigurisë me të cilat përballet vendi.
Profesori emiratas Abdulkhaleq Abdulla i tha gazetës se Emiratet e shohin ndryshe konceptin e standardeve politike dhe të të drejtave të njeriut dhe kundërshtoi idenë se vendi duhet domosdoshmërisht t’u përshtatet standardeve perëndimore.
G42 dhe gara për epërsi në inteligjencën artificiale
Nga fundi i viteve 2010, inteligjenca artificiale po shfaqej si fusha e re ku mund të bashkoheshin kapitali, të dhënat, infrastruktura dhe siguria.
Në këtë mjedis lindi G42. Emri i kompanisë lidhet me romanin e Douglas Adams The Hitchhiker’s Guide to the Galaxy. Në libër, superkompjuteri “Deep Thought” kalon miliona vjet duke kërkuar përgjigjen për pyetjen themelore mbi jetën, universin dhe gjithçka tjetër. Përgjigjja e tij është numri 42.
G42 synon ta trajtojë inteligjencën artificiale si një formë infrastrukture bazë, të krahasueshme me energjinë ose ujin. Kompania operon në cloud, qendra të të dhënave, shëndetësi, AI dhe sektorë të tjerë teknologjikë.
The Guardian thekson se disa drejtues të G42 kanë punuar më parë në DarkMatter. Peng Xiao, i cili kishte drejtuar një njësi të rëndësishme të DarkMatter, është drejtues ekzekutiv i G42. Karim Sabbagh, një tjetër ish-drejtues i DarkMatter, drejton një prej strukturave të lidhura me G42.
Gazeta përmend gjithashtu aplikacionin e mesazheve ToTok, për të cilin New York Times raportoi më parë se ishte përdorur si instrument mbikëqyrjeje. G42 i mohon lidhjet institucionale me operacionet e mëparshme të spiunazhit kibernetik dhe deklaron se nuk kryen ose mundëson mbikëqyrje të paligjshme.
Sipas kompanisë, ajo u krijua si ndërmarrje e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë, e fokusuar te infrastruktura cloud dhe AI, dhe bizneset e saj veprojnë sipas ligjeve përkatëse, rregullave kontraktuale për të dhënat dhe standardeve të sigurisë.
Pavarësisht polemikave, G42 ka krijuar marrëdhënie të rëndësishme me Silicon Valley-n. Microsoft ka investuar 1.5 miliardë dollarë në kompani, ndërsa nënkryetari i Microsoft, Brad Smith, ka marrë një vend në bordin e saj.
G42 dhe fondet e lidhura me Tahnoon kanë investime ose partneritete me kompani të mëdha të inteligjencës artificiale. Tahnoon ka krijuar gjithashtu marrëdhënie personale me disa prej figurave kryesore të industrisë.
G42 thotë se partneriteti me Microsoft mbështetet në një marrëveshje detyruese të hartuar në konsultim me qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Emirateve. Marrëveshja përfshin sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave, përdorimin e përgjegjshëm të AI-së, kontrollet e eksportit dhe integritetin e biznesit.
Marrëdhëniet e Tahnoon nuk kufizohen te industria teknologjike. Ai ka krijuar gjithashtu lidhje të rëndësishme me administratën e presidentit amerikan Donald Trump. Administrata e Joe Biden kishte kufizuar eksportet e çipave të avancuar të AI-së drejt Emirateve, pjesërisht për shkak të shqetësimeve të Uashingtonit për marrëdhëniet teknologjike të Abu Dhabit me Kinën.
Administrata Trump ndryshoi më pas politikën dhe autorizoi transferimin e një numri të madh çipash të avancuar drejt Emirateve, me G42 si një nga përfituesit kryesorë të kapaciteteve të reja.
Artikulli vë në dukje se njoftimi për këtë marrëveshje erdhi pak pasi një strukturë investimi e lidhur me Tahnoon realizoi një investim prej 2 miliardë dollarësh në kriptomonedhën e World Liberty Financial, kompani e lidhur me familjen Trump. Artikulli raporton gjithashtu se Tahnoon kishte marrë një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në World Liberty.
Shtëpia e Bardhë dhe World Liberty kanë mohuar se investimet kishin lidhje me vendimin për eksportin e çipave. Senatorja demokrate Elizabeth Warren e ka cilësuar marrëdhënien mes interesave financiare dhe vendimeve të administratës si korrupsion. Ky mbetet vlerësim politik i Warren dhe jo një konstatim juridik.
Në një kuptim më të gjerë, afrimi mes Uashingtonit, Abu Dhabit dhe kompanive amerikane të teknologjisë pasqyron bindjen se inteligjenca artificiale do të jetë një nga burimet kryesore të fuqisë ekonomike dhe strategjike të së ardhmes. Emiratet po përpiqen të sigurojnë një vend qendror në këtë sistem.
Në brigjet e Abu Dhabit po ndërtohet një kampus i madh i inteligjencës artificiale, i projektuar për një kapacitet energjetik prej 5 gigavatësh. Nëse realizohet sipas planit të përshkruar në artikull, ai do të jetë shumë më i madh se qendrat tipike hipershkallë të të dhënave që funksionojnë sot.
G42 është përfshirë gjithashtu në financimin e një programi të madh për qendra të reja të të dhënave në Shtetet e Bashkuara dhe ka investuar në kompani që marrin pjesë në ndërtimin e tyre.
Microsoft dhe G42 kanë krijuar së bashku edhe Responsible AI Future Foundation, e cila synon të ndikojë në zhvillimin dhe përdorimin etik të sistemeve të inteligjencës artificiale. Selia e saj ndodhet në Abu Dhabi.
Kjo rritje e shpejtë ka rikthyer në vëmendje pyetjen mbi marrëdhënien mes teknologjisë dhe aparatit të sigurisë së Emirateve. The Guardian sjell si shembull rastin e Ahmed Mansoor, inxhinier emiratas dhe aktivist i të drejtave të njeriut.

Në fillim të viteve 2010, Mansoor ishte mes intelektualëve që nënshkruan një peticion ku kërkohej krijimi i një parlamenti të zgjedhur. Ai administronte gjithashtu një faqe interneti ku publikoheshin edhe materiale kritike ndaj qeverisë.
Mansoor u arrestua në vitin 2011 dhe më pas u lirua pas një faljeje presidenciale. Në vitet që pasuan, studiues të sigurisë kibernetike dokumentuan përpjekje të sofistikuara për të infiltruar pajisjet e tij elektronike.
Artikulli pretendon se të dhëna të marra nga pajisjet e Mansoor u dërguan drejt një serveri të lidhur me një adresë postare të zyrës personale të Tahnoon. Pretendimi paraqitet nga gazeta në kontekstin e operacioneve të mbikëqyrjes ndaj aktivistit.
Mansoor u arrestua përsëri në vitin 2017 dhe u dënua me dhjetë vjet burg për akuza që përfshinin cenimin e “statusit dhe prestigjit të Emirateve dhe simboleve të tyre, përfshirë udhëheqësit”.
Rasti i tij është bërë një nga pikat kryesore të kritikave të organizatave ndërkombëtare ndaj situatës së të drejtave të njeriut në Emirate.
Historia e këtyre operacioneve të mbikëqyrjes bëhet veçanërisht e rëndësishme tani që Abu Dhabi po fiton një rol shumë më të madh në infrastrukturën globale të inteligjencës artificiale. AI nuk përdoret vetëm për kërkime teknike ose për automatizimin e kompanive. Njerëzit po u besojnë sistemeve të tilla dokumente personale, komunikime, të dhëna profesionale dhe informacione gjithnjë e më private.
Për këtë arsye, kontrolli mbi qendrat e të dhënave, sistemet cloud dhe modelet e inteligjencës artificiale ngre çështje që shkojnë përtej ekonomisë. G42 këmbëngul se aktivitetet e saj i nënshtrohen standardeve të forta të sigurisë, mbrojtjes së të dhënave dhe pajtueshmërisë ligjore.
Kritikët, ndërkohë, argumentojnë se historia e aparatit emiratas të sigurisë kërkon vëmendje të shtuar ndaj mënyrës se si administrohet kjo infrastrukturë. Në fund, historia e Tahnoon nuk është vetëm historia e një princi jashtëzakonisht të pasur që ka interes për teknologjinë.
Ajo tregon mënyrën se si po ndryshon struktura globale e pushtetit në epokën e inteligjencës artificiale.
Kapitali, energjia, qendrat e të dhënave, çipat dhe marrëdhëniet politike po bëhen po aq të rëndësishme sa vetë algoritmet. Shtetet që kanë para, energji dhe kapacitet për të ndërtuar infrastrukturë në shkallë të gjerë mund të fitojnë një rol shumë më të madh në ekonominë teknologjike globale.
Abu Dhabi i zotëron të tria. Dhe Tahnoon ndodhet në pikën ku ato takohen: ai është njëkohësisht financier, zyrtar i sigurisë kombëtare dhe një nga arkitektët kryesorë të strategjisë teknologjike të Emirateve. The Guardian e paraqet këtë ndërthurje si burim të fuqisë së tij, por edhe si burim të pyetjeve që shoqërojnë ngritjen e G42.
Pyetja nuk është më vetëm se kush do të ndërtojë modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale. Gara po zhvillohet edhe për kontrollin e çipave që i trajnojnë ato, energjisë që i furnizon, qendrave të të dhënave ku funksionojnë dhe rrjeteve përmes të cilave qarkullon informacioni.
Për dekada, fuqia e Emirateve të Bashkuara Arabe u mbështet te nafta. Strategjia që po ndërton sot Abu Dhabi synon ta zgjerojë këtë rol në një tjetër burim strategjik: fuqinë kompjuterike dhe inteligjencën artificiale.
Në qendër të kësaj strategjie qëndron Sheikh Tahnoon bin Zayed Al Nahyan, njeriu që dikur u prezantua në një akademi të vogël jiu-jitsu-je në Kaliforni thjesht si “Ben”. /Përshtati Pamfleti nga The Guardian/











