Trendy

Privohet nga liria një burrë nga Kumanova, dyshohet për kontrabandë me mbi 1 mijë artikuj

Para 1 orë

Një tentativë për t’iu shmangur kontrollit policor ka përfunduar me ndalimin e një 36-vjeçari nga fshati Goshincë dhe sekuestrimin e më shumë se një mijë artikujve të ndryshëm, të cilët dyshohet se ishin futur në vend pa dokumentacionin përkatës.

 

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:50 në rajonin e fshatit Likovë. Sipas Policisë, zyrtarët e Stacionit Policor për Kontrolle Kufitare dhe Mbikëqyrje Kufitare “Bllanocë” i kanë dhënë shenjë për ndalim drejtuesit të një kamioni tip “Mercedes Sprinter”, por ai nuk është ndalur dhe ka vazhduar në drejtim të fshatit Hotël.

 

Pas masave të ndërmarra nga policia, automjeti është ndaluar dhe gjatë kontrollit janë gjetur qindra artikuj pa dokumentacion përkatës.

 

“Në automjet u gjetën 320 copë tekstil, 28 palë këpucë, 350 copë mallra teknike, 78 copë barna, 76 copë produkte kozmetike, gjashtë pjesë për automjete dhe 377 copë mallra të tjera, të gjitha pa dokumentacionin përkatës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

 

36-vjeçari S.S. është privuar nga liria nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “kontrabandë”, sipas nenit 278 të Kodit Penal.

 

Për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë. Policia njofton se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyshuarit do të parashtrohet kallëzim përkatës penal.

Trending