Profesoresha universitare Ana Çupevska tha se përpjekjet për riaktualizimin e çështjeve të mbyllura që lidhen me gjuhët përbëjnë rrezik për rendin kushtetues dhe kohezionin e shtetit, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht dhe të shoqëruara me keqpërdorim të diskursit publik, përcjell KDP.
Në një postim në rrjetet sociale, Çupevska vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit mbetet themeli funksional i shtetit dhe një kusht kyç për stabilitetin politik, duke theksuar se çdo relativizim i saj përbën “atak të drejtpërdrejtë ndaj kohezionit shtetëror”.
Ajo deklaroi se çështjet që lidhen me përdorimin e gjuhëve duhet të trajtohen me “precizion politologjik” dhe pa eufemizma, duke paralajmëruar për, siç tha, tendenca të qëllimshme për të dobësuar rendin kushtetues përmes instrumentalizimit të debatit publik.
Sipas saj, shqetësim i veçantë mbeten përpjekjet për anashkalimin e Amendamentit 5 të Kushtetutës, të cilin e përshkroi si shtyllë të barazisë gjuhësore. Ajo kritikoi institucionet për atë që e quajti zvarritje e qëllimshme e vendimmarrjes dhe krijim i një “vakumi juridik” që, sipas saj, mundëson manipulime politike.
Çupevska gjithashtu kritikoi qasjen që, sipas saj, favorizon interpretimin formal të çështjeve në vend të mbrojtjes së thelbit kushtetues, duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në erozion institucional.
Ajo shtoi se zhvillimet e fundit nuk duhet parë si incidente të izoluara, por si pjesë e një dinamike më të gjerë që synon të dobësojë mekanizmat e vendosur nga Marrëveshja e Ohrit, përfshirë parimin e Badenterit dhe proceset që burojnë prej saj.
“Amendamenti 5 nuk është çështje kompromisi politik, por arritje e një rendi demokratik,” tha Çupevska, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ta zhbërë atë mund të çojë në destabilizim politik.










